
Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka denoncuar publikisht para Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Porto të Portugalisë, ndërhyrjen flagrante të krimit të organizuar në zgjedhjet vendore të 11 majit në Shqipëri.
Duke e cilësuar bashkinë e Vorës si shembullin më ekstrem të kriminalizimit të procesit zgjedhor, Vokshi tregoi për një situatë alarmante, ku elementë të rrezikshëm kriminalë – të dënuar për vrasje e trafik droge – kontrolluan hapur votimet, nën heshtjen dhe mbështetjen e autoriteteve shtetërore.
“Kam qenë drejtuese politike e PD në Vorë. Aty zgjedhjet u kapën krejtësisht nga një grup kriminal që prej dy vitesh ka vendosur kryetarin e bashkisë dhe vazhdon ta kontrollojë plotësisht atë”, deklaroi Vokshi para delegatëve ndërkombëtarë.
Sipas saj, edhe pse kishte bërë kallëzim paraprak pranë SPAK dhe institucioneve të tjera përgjegjëse për këtë grup kriminal, ditën e zgjedhjeve nuk iu ofrua asnjë mbrojtje. Ajo u kërcënua drejtpërdrejt bashkë me stafin dhe vajzën e saj të mitur.
“Një nga anëtarët e grupit kriminal jo vetëm që më kërcënoi mua, por kërcënoi edhe vajzën time. Kjo është çmenduri”, u shpreh Vokshi. Ajo tha se në çdo qendër votimi ishte përballur me fyerje, intimidim dhe presion për t’u larguar, në mënyrë që grupet kriminale të kishin kontroll të plotë të procesit.
Deputetja solli prova me fotografi dhe emra të anëtarëve të grupit kriminal, të cilëve – sipas saj – u ishin shpërndarë leje false për të hyrë në qendrat e votimit. “Ata qëndruan të gjithë ditën në një bar përballë qendrës kryesore të votimit, duke e komanduar procesin në mënyrë të hapur, madje dhanë edhe intervista televizive“, tha ajo.
Sipas Vokshit, prania e krimit në procesin zgjedhor është thelluar në mënyrë të pashembullt dhe është bërë e mundur vetëm përmes mbështetjes politike.
Ajo akuzoi drejtpërdrejt Ministrin e Ekonomisë për bashkëpunim me grupin kriminal që kontrolloi Vorën dhe theksoi se rezultati i votimit në këtë bashki – ku ministri mori mbi 60% të votave, është dëshmi e ndikimit kriminal.
“E nëse ata guxojnë të më kërcënojnë mua në mes të ditës, a mund të imagjinoni çfarë ndodh me qytetarët e zakonshëm?”, pyeti Vokshi, duke i bërë thirrje OSBE-së që të mos mbyllë sytë ndaj këtyre zhvillimeve.
Ajo përmbylli fjalën me apelin që komuniteti ndërkombëtar të marrë seriozisht situatën alarmante të kapjes së zgjedhjeve nga krimi i organizuar në Shqipëri.