Vendosni fjalën kyçe....

Senati amerikan në votim maratonë për buxhetin


Senati i Shteteve të Bashkuara është përfshirë në një seancë votimi maratonë për një projekt-buxhet të gjerë, vendimtar për axhendën politike të presidentit Donald Trump. Pavarësisht javëve me negociata intensive, plani i shpenzimeve ka mbetur pezull për shkak të përçarjeve të thella brenda vetë Partisë Republikane, e cila kontrollon të dy dhomat e Kongresit.

Çështja kryesore e përplasjes është shkurtimi i programeve të mirëqenies sociale, me qëllim për të zgjatur lehtësirat tatimore të përfshira në ligjin “One Big Beautiful Bill” – një iniciativë e mbështetur nga Trump.

Ndërkohë, ish-bashkëpunëtori i ngushtë i Trump, Elon Musk, ka sulmuar ashpër legjislacionin, duke e cilësuar si “të çmendur” dhe duke paralajmëruar krijimin e një partie të re politike. Kritikët e projektligjit pretendojnë se ai do të rëndojë më tej mbi borxhin kombëtar të SHBA-së, që tashmë ka arritur në 36 trilionë dollarë. Sipas vlerësimeve, plani i ri do t’i shtojë atij edhe 3.3 trilionë dollarë të tjerë.

Trump ka reaguar duke akuzuar Muskun për hipokrizi, duke kujtuar se kompania e tij Tesla ka përfituar subvencione të mëdha shtetërore. “Elon mund të ketë marrë më shumë subvencione se çdo njeri tjetër në histori. Pa to, ndoshta do të ishte kthyer në shtëpi, në Afrikën e Jugut,” shkroi ai në rrjetin social “Truth Social”.

Senatorët po vijojnë procesin e miratimit të amendamenteve në një seancë të quajtur “voto-a-rama”, që mund të zgjasë deri në 20 orë debat të pandërprerë. Nëse miratohet nga Senati, projektligji do të rikthehet për votim përfundimtar në Dhomën e Përfaqësuesve, e cila e kishte kaluar një version të tij muajin e kaluar me një diferencë minimale votash./BBC