Vendosni fjalën kyçe....

Kanada heq taksën mbi shërbimet digjitale për të avancuar negociatat tregtare me SHBA-të


Kanadaja hoqi taksën mbi shërbimet digjitale që synonte kompanitë teknologjike amerikane vetëm pak orë para se ajo të hynte në fuqi të hënën, në përpjekje për të avancuar negociatat tregtare të ngecura me Shtetet e Bashkuara.

Ministria kanadeze e Financave deklaroi të dielën vonë se kryeministri Mark Carney dhe presidenti amerikan Donald Trump do të rinisin bisedimet tregtare, me synimin për të arritur një marrëveshje deri më 21 korrik.

“Faleminderit Kanada që hoqe taksën mbi Shërbimet Digjitale, e cila synonte të pengonte inovacionin amerikan dhe do të ishte një pengesë e madhe për çdo marrëveshje tregtare me Amerikën,” shkroi në rrjetin X Sekretari amerikan i Tregtisë, Howard Lutnick, sipas Reuters.

Bursat amerikane u rritën ndjeshëm të hënën në mëngjes, pasi tregjet reaguan pozitivisht ndaj sinjaleve për përparim në bisedimet tregtare mes SHBA-së dhe partnerëve kyç, përfshirë Kanadanë.

Trump e kishte pezulluar papritur procesin negociator të premten për shkak të kësaj takse, duke e quajtur atë një “sulm të hapur”. Ai përsëriti qëndrimin e tij edhe të dielën, duke kërcënuar se do të vendosë tarifa të reja mbi mallrat kanadeze brenda javës, duke rrezikuar që marrëdhëniet SHBA-Kanada të rikthehen në tensione pas një periudhe stabiliteti.

Carney dhe Trump u takuan më herët këtë muaj në samitin e G7-ës në Kananaskis të Albertës, ku kishin rënë dakord të përfundonin një marrëveshje të re ekonomike brenda 30 ditësh.

Taksa kanadeze e planifikuar do të aplikonte një normë prej 3% mbi të ardhurat nga shërbimet digjitale të gjeneruara nga përdoruesit kanadezë, për kompanitë me të ardhura mbi 20 milionë dollarë në vit, me efekte retroaktive që nga viti 2022. Ajo do të kishte prekur gjigantë amerikanë si Amazon, Meta, Google dhe Apple.

Ministria e Financave tha se mbledhja e kësaj takse, e planifikuar për të nisur të hënën, është ndalur dhe se ministri François-Philippe Champagne do të propozojë një ligj për shfuqizimin e Aktit për Taksën mbi Shërbimet Digjitale.

“DST-ja u shpall në vitin 2020 për të adresuar faktin se shumë kompani të mëdha teknologjike që operojnë në Kanada mund të mos paguajnë tatime për të ardhurat e gjeneruara nga qytetarët kanadezë,” thuhej në deklaratë.

 “Preferenca e Kanadasë ka qenë gjithmonë një marrëveshje shumëpalëshe për taksimin e shërbimeve digjitale.”

Kanadaja është partneri i dytë më i madh tregtar i SHBA-së pas Meksikës, dhe blerësi më i madh i eksporteve amerikane. Sipas të dhënave të Byrosë së Statistikave të SHBA-së, vitin e kaluar ajo bleu 349.4 miliardë dollarë mallra nga SHBA dhe eksportoi 412.7 miliardë dollarë drejt saj.

Administrata Biden kishte kërkuar konsultime për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve tregtare lidhur me këtë taksë që në vitin 2024, duke argumentuar se ajo binte ndesh me detyrimet e Kanadasë sipas marrëveshjes së tregtisë së lirë të Amerikës së Veriut.

Kanadaja kishte shpëtuar nga tarifat e gjera të vendosura nga Trump në prill, por aktualisht përballet me tarifa prej 50% mbi eksportet e çelikut dhe aluminin drejt SHBA-së.