
Autoritetet në Spanjë, Portugali, Greqi dhe Francë kanë lëshuar paralajmërime për të nxehtin ekstrem, rrezikun e zjarreve dhe pasojat për shëndetin publik, ndërsa kontinenti më i prekur nga ngrohja globale po përballet me valën e parë të madhe të të nxehtit të këtij viti, me temperatura që arrijnë deri në 42 gradë Celsius.
Shërbimi shtetëror meteorologjik i Spanjës, Aemet, dha një paralajmërim të veçantë të premten, duke bërë të ditur se temperaturat në jug të vendit mund të arrijnë deri në 42°C në ditët në vijim.
“Temperatura shumë të larta dhe të qëndrueshme priten, si gjatë ditës ashtu edhe gjatë natës, gjë që mund të përbëjë rrezik për njerëzit e ekspozuar ose të pambrojtur,” thuhet në njoftim, sipas The Guardian.
Ministria e Shëndetësisë në Madrid paralajmëroi qytetarët të shmangin ekspozimin në diell, të qëndrojnë të hidratuar dhe të kujdesen për personat e moshuar, gratë shtatzëna dhe ata me probleme kronike shëndetësore.
Në Portugali, dy të tretat e vendit do të jenë në gjendje alarmi të dielën, me temperatura që pritet të arrijnë deri në 42°C në Lisbonë dhe me rrezik të lartë për zjarre pyjore.
Në Francë, qyteti i Marsejës po përballet me temperatura pranë 40°C dhe autoritetet kanë vendosur që pishinat publike të jenë falas për të ndihmuar banorët të përballojnë të nxehtin mesdhetar.
Në Itali, temperatura deri në 39°C janë parashikuar në Napoli dhe Palermo, ndërsa në Sicili është ndaluar puna në ambiente të jashtme gjatë orëve më të nxehta të ditës.
Masa të ngjashme janë ndërmarrë edhe në rajonin e Ligurisë në veri të vendit, ndërsa sindikatat po kërkojnë zgjerimin e ndalimit në gjithë territorin.
Në Venecia, ku po mbahen festimet tre-ditore të dasmës së themeluesit të Amazon-it, Jeff Bezos, dhe bashkëshortes së tij Lauren Sánchez, vala e të nxehtit po ndjehet jo vetëm nga të ftuarit por edhe nga banorët dhe protestuesit.
Në Greqi, ku temperaturat po afrojnë 40°C, një zjarr i madh pyjor shpërtheu në jug të Athinës të enjten, duke detyruar autoritetet të japin urdhra evakuimi dhe të mbyllin rrugën bregdetare që lidh kryeqytetin me Sounionin, ku ndodhet Tempulli antik i Poseidonit, një atraksion i rëndësishëm turistik.
Vala e të nxehtit vjen pas një serie rekordesh klimatike të thyera, përfshirë marsin më të nxehtë në histori për Europën, sipas monitorit të klimës Copernicus të BE-së.
Shkencëtarët paralajmërojnë se si pasojë e ngrohjes globale, ngjarjet ekstreme si uraganet, përmbytjet, thatësirat dhe valët e të nxehtit janë bërë më të shpeshta dhe më të forta.
Viti i kaluar ishte më i nxehti i regjistruar ndonjëherë, me pasoja të mëdha globale dhe dëme që tejkaluan 300 miliardë dollarë.
Një studim i revistës Lancet Public Health parashikonte se vdekjet nga të nxehtit në Europë mund të trefishohen deri në fund të shekullit, veçanërisht në vendet e Mesdheut si Italia, Greqia dhe Spanja.
Nëse temperaturat globale rriten me 3°C mbi nivelet para-industriale, vdekjet nga të nxehtit mund të arrijnë deri në 129 mijë në vit në Europë. Edhe nëse objektivi i ngrohjes globale kufizohet në 1.5°C, numri total i vdekjeve nga i ftohti dhe i nxehti mund të rritet nga 407 mijë aktualisht në 450 mijë deri në vitin 2100.