
Vendet europiane janë në alarm për shkak të valës së parë të të nxehtit të verës, me temperatura që në disa zona arrijnë deri në 42°C. Spanja, Portugalia, Franca, Italia dhe Greqia po përballen me kushte ekstreme, që kërcënojnë shëndetin publik dhe rrisin rrezikun për zjarre masive.
Spanja ka shpallur alarme të veçanta për të nxehtin dhe autoritetet në Madrid kanë bërë thirrje për kujdes të shtuar, veçanërisht për të moshuarit dhe personat me probleme shëndetësore. Edhe Portugalia ka vendosur dy të tretat e territorit në gatishmëri të lartë për zjarre, ndërsa në Lisbonë priten temperatura deri në 42°C.
Në Francë, autoritetet e qytetit të Marsejës kanë hapur pishinat publike falas për banorët, për t’i ndihmuar të përballojnë nxehtësinë afrikane. Italia ka ndaluar punën në ambiente të jashtme gjatë orëve më të nxehta në Sicili dhe Liguria, ndërsa sindikatat kërkojnë që masa të shtrihet në të gjithë vendin.
Në Greqi, një zjarr i madh ka përfshirë zonat në jug të Athinës, duke shkaktuar evakuime dhe mbyllje rrugësh. Temperaturat po i afrohen 40°C në disa zona.
Kjo valë ekstreme nxehtësie vjen pas muajsh me rekorde klimatike të thyera – përfshirë marsin më të nxehtë ndonjëherë në Europë. Sipas shkencëtarëve, ngrohja globale po e bën gjithnjë e më të shpeshta dhe më intensive fenomenet si valët e të nxehtit, përmbytjet dhe uraganet.
Viti i kaluar ishte më i nxehti i regjistruar ndonjëherë dhe solli pasoja katastrofike globale, me dëme mbi 300 miliardë dollarë. Një studim i “Lancet Public Health” parashikon që vdekjet nga nxehtësia në Europë mund të trefishohen deri në fund të këtij shekulli, me vendet e Evropës Jugore si Italia, Spanja dhe Greqia më të rrezikuarat.
Nëse temperaturat globale rriten me 3°C mbi nivelet para-industriale, humbjet njerëzore nga të nxehtit mund të arrijnë deri në 129,000 jetë çdo vit. Edhe në rastin më optimist, kur ngrohja globale kufizohet në 1.5°C, numri i përgjithshëm i vdekjeve të lidhura me temperaturat ekstreme mund të rritet në 450,000 në vit deri në vitin 2100.