Vendosni fjalën kyçe....

Grabitje masive ndihmash në Gaza, klanet marrin kontrollin e shpërndarjes


Shpërndarja e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës është përfshirë nga kaosi dhe tensionet sociale, ndërsa gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar grabitje masive, akuza të ndërsjella dhe kërcënime publike ndaj Hamasit. Situata ka arritur një pikë kritike në qytetin Khan Younis, ku 70 kamionë me ndihma janë plaçkitur gjatë natës, përcjell YNetNews.

Pamje të publikuara tregojnë persona të njohur nga familje me ndikim duke zhvendosur ndihmat nga kamionët drejt automjeteve të tyre. Në reagim, një “shoqatë e klaneve, fiseve dhe familjeve” në Gaza ka dalë me një deklaratë të fortë, duke konfirmuar se i njohin autorët dhe duke u dhënë atyre një afat për të kthyer ndihmat – përndryshe, emrat do të bëhen publikë.

“Ky akt i turpshëm dëmton rëndë vëllezërit tanë në Gazën jugore dhe qendrore,” thuhet në deklaratë. “I bëjmë thirrje klaneve në jug të ndjekin shembullin e atyre në qytetin e Gazës dhe veri, të cilët kanë siguruar me përgjegjësi shpërndarjen e ndihmës.”

Ndërkohë, në veri të Gazës është vënë në zbatim një model i ri operativ i bazuar në sigurinë e garantuar nga klanet lokale për shpërndarjen e ndihmave. Ky model vjen në një kohë kur kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe ministri i Mbrojtjes Israel Katz kanë kërkuar nga IDF një plan operativ brenda 48 orëve “për të parandaluar që Hamasi të marrë nën kontroll ndihmat që hyjnë në Gaza”.

Zhvillimet theksojnë jo vetëm shkallën e përkeqësimit të gjendjes humanitare në Gaza, por edhe një krizë të thellë besimi brenda komunitetit, me autoritetin e Hamasit gjithnjë e më shumë të sfiduar nga strukturat tradicionale të shoqërisë si klanet dhe fiset.