
Pas vendimit të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për të lënë në fuqi masën e arrestit me burg ndaj kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, avokati i tij Kujtim Cakrani ka reaguar me një deklaratë për mediat.
Cakrani tha se gjatë seancës mbrojtja ka shprehur pretendimet e saj për mënyrën si është trajtuar çështja dhe ka kritikuar organin e akuzës për mungesë veprimi në tetë muajt e fundit.
Sipas tij, nuk është kryer asnjë veprim procedural nga Prokuroria, ndërsa shtoi se Meta ka folur vetë për më shumë se një orë për të hedhur dritë mbi akuzat që i bëhen.
Avokati theksoi se Ilir Meta nuk ka pasur dijeni për veprimet e pretenduara lidhur me lobimin dhe nuk ka firmosur ndonjë dokument për këtë çështje. Ai shtoi gjithashtu se Meta nuk ka përdorur kurrë kartat bankare të biznesmenit Dritan Shatku, të cilat ndodhen në qendër të hetimit.
“Zoti Meta nuk ka dijeni për çfarë ka ndodhur me zonjën Kryemadhi. Janë dy entitete të ndryshme dhe mbajnë përgjegjësi secili për veten e vet. Kartat janë përdorur nga ish-bashkëshortja, jo nga zoti Meta,” tha Cakrani.
Sipas tij, debati me prokurorin e çështjes, Sotir Kllapi, u përqendrua në mungesën e provave direkte që lidhnin Metën me veprimet e pretenduara.
“Organi i akuzës u përqendrua te lobimi. I thamë: ku është firma e kryetarit të LSI? Ata vetë thanë që Meta nuk ka dijeni, por sipas tyre duhej të kishte”, u shpreh avokati.
Cakrani ngriti gjithashtu dyshime për karakterin politik të çështjes, duke theksuar se arrestimi i Metës është i pabazuar në prova dhe se masat e sigurisë po përdoren për të mbajtur qytetarët në burg pa arsye të justifikuara.
“Zoti Meta, askush nuk e di pse duhet të qëndrojë në masën e sigurisë. Ne jemi të bindur se kjo është një çështje politike,” u shpreh ai.
Në përfundim, avokati paralajmëroi se do të merren masa ndaj personave që, sipas tij, kanë dhënë dëshmi të rreme në proces, një veprim që përbën vepër penale.
Ai tha se mbrojtja do të ndërmarrë hapat e saj në momentin e duhur.