
Në një dalje të rrallë publike, Shefi i Mossad-it, David Barnea, publikoi të mërkurën një pjesë të fjalimit që mbajti përpara agjentëve të tij të përfshirë në operacionet spektakolare kundër Iranit më 13 qershor dhe më pas, duke e quajtur ndikimin ndaj regjimit iranian si “të paimagjinueshëm”, përcjell Jerusalem Post.
Në videon e shpërndarë, Barnea deklaron me një ton sfidues: “Ne do të jemi atje, siç kemi qenë gjithmonë”, duke i dërguar një mesazh të qartë Teheranit. Ai vlerësoi punën e agjentëve të Mossad-it, duke theksuar se operacionet kishin përfshirë eliminimin e krerëve ushtarakë iranianë, shkencëtarëve bërthamorë, si dhe goditjen e objekteve të rëndësishme si ato bërthamore, qendrat e dronëve dhe objektet e raketave balistike.
Sipas zbulimeve, Mossad kishte qindra agjentë të infiltruar në territorin iranian, duke e vendosur regjimin në pozitë të vështirë që në fillim të konfliktit. Barnea falënderoi gjithashtu inteligjencën ushtarake izraelite, Shefin e Shtabit të IDF-së, gjeneralin Eyal Zamir, dhe CIA-n për bashkëpunimin e ngushtë gjatë operacioneve.
Në vijim të fjalës së tij, ai u ndal edhe te fronti në Gaza, duke siguruar se Mossad është i përkushtuar për rikthimin e të gjithë pengjeve izraelite, përfshirë 20 që besohet se janë ende gjallë.
Mossad publikoi gjithashtu pamje të rralla nga sulmet që kryen së bashku me forcat ajrore izraelite në objektivat iraniane, ku shihet qartë se u përdorën edhe dronë të nisur nga brenda Iranit për të goditur objektiva strategjikë. Edhe pse tradicionalisht shërbimi i inteligjencës izraelite nuk pranon publikisht veprimet e tij, këto video përfaqësojnë një shembull të rrallë të transparencës në operacione zakonisht tërësisht të fshehta.