Vendosni fjalën kyçe....

Greqia në flakë sërish, Ishulli i Hios përfshihet nga zjarre shkatërruese, shpallet gjendja e jashtëzakonshme


Greqia po përballet me një tjetër valë zjarresh të furishme, këtë herë në ishullin turistik të Hios, ku prej tre ditësh flakët kanë shkatërruar sipërfaqe të mëdha pyjesh dhe toke bujqësore, duke detyruar autoritetet të shpallin gjendjen e jashtëzakonshme.

Qindra zjarrfikës, të mbështetur nga avionë, helikopterë dhe ndihma nga qytete si Athina, Selaniku dhe ishulli Lesbos, janë angazhuar në një përpjekje intensive për të vënë nën kontroll vatrat e shumta që përparojnë me shpejtësi të rrezikshme.

Të martën në mëngjes, mbi 440 efektivë të shërbimit zjarrfikës me 85 automjete dhe 13 mjete ajrore po përballeshin me flakët që kanë përfshirë zona të gjera të ishullit, ndërsa banorët janë paralajmëruar të qëndrojnë të gatshëm për evakuim.

Ministri grek i Mbrojtjes Civile dhe i Krizës Klimatike, Giannis Kefalogiannis, deklaroi se dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme, duke theksuar se vatrat kanë shpërthyer njëkohësisht në vende të ndryshme dhe të palidhura mes tyre. Ai njoftoi për shtim të forcave policore dhe patrullave ushtarake në ishull për të parandaluar zjarrvënie të tjera të mundshme.