Vendosni fjalën kyçe....

Katari: Shpresojmë të rifillojmë bisedimet për armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit brenda dy ditësh


Katari deklaroi të martën se synon të ndërmjetësojë rifillimin e bisedimeve indirekte për armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit brenda dy ditëve të ardhshme, pas arritjes së marrëveshjes së armëpushimit mes Izraelit dhe Iranit.

Kryeministri i Katarit, Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, u shpreh se Doha “shpreson që Izraeli të mos e shfrytëzojë armëpushimin me Iranin si një mundësi për të vazhduar sulmet në Gaza, dhe që të ndalojë bombardimet”.

Armëpushimi mes Izraelit dhe Iranit, i shpallur gjatë natës nga presidenti amerikan Donald Trump, thuhet se është ndërmjetësuar nga Katari.

Sipas Al Thanit, Irani pranoi marrëveshjen pas bisedimeve të tij me zyrtarët iranianë, që pasuan sulmin raketor të Teheranit ndaj një baze amerikane në Katar, një goditje që Irani e përshkroi si “hakmarrje” për bombardimet amerikane mbi objektet e tij bërthamore, përcjell Ynet.

Irani lëshoi raketa ndaj bazës ajrore Al Udeid në Katar, që është baza më e madhe ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme.

Ndërsa Teherani e përshkroi sulmin si “të fuqishëm dhe shkatërrues”, mediat amerikane raportuan se Irani kishte dhënë paralajmërim disa orë më parë, me qëllim shmangien e viktimave dhe për të parandaluar një përshkallëzim serioz.

Dhjetë raketa u lëshuan në drejtim të bazës, por ajo nuk u godit.

Zyrtarët e Katarit thirrën ambasadorin iranian për një paralajmërim zyrtar dhe i shprehën protestën për sulmin në territorin e tyre.

Kryeministri Al Thani bëri të ditur se presidenti iranian Masoud Pezeshkian i ka kërkuar falje Emirit të Katarit, Tamim bin Hamad Al Thani, për këtë akt.

Al Thani pranoi se sulmi iranian do të lërë një plagë në marrëdhëniet mes dy vendeve, por shprehu shpresë që lidhjet fqinjësore të mos dëmtohen.

 Ai gjithashtu bëri thirrje që Irani dhe Shtetet e Bashkuara të rifillojnë negociatat për një marrëveshje të re bërthamore.