Vendosni fjalën kyçe....

Lushnja nën flakë: 8 vatra zjarri në 3 ditë, dyshohet zjarrvënie e qëllimshme


Zona e Lushnjës vijon të përballet me rrezik të lartë nga zjarret, duke shënuar vetëm në tri ditët e fundit tetë vatra, kryesisht në zona rurale. Më e prekura ka qenë Karabunara, ku flakët kanë përfshirë ullishte, agrume dhe magazina të fermerëve, si dhe Karavastaja, ku janë djegur qindra rrënjë ullinj.

Sipas specialistëve të shërbimit zjarrfikës dhe grupit hetimor, në të gjitha rastet, zjarret janë shkaktuar nga djegia e mbeturinave bimore nga fermerët, një praktikë që u ka dalë jashtë kontrollit, duke sjellë pasoja të rënda për mjedisin dhe pronat private.

Rasti më i fundit është shënuar sot, rreth orës 17:30 në fshatin Rrupaj, njësia administrative Krutje, ku zjarri ka dalë jashtë kontrollit dhe vetëm ndërhyrja e shpejtë e forcave zjarrfikëse ka shmangur përfshirjen e banesave, serave dhe një parku me bletë.

Vetëm një ditë më parë, dy persona u ndaluan për zjarrvënie në zonën e Lushnjës. Sot, policia dhe grupi hetimor kanë zbarkuar sërish në Rrupaj, pasi kjo është dita e dytë radhazi me zjarr në të njëjtin vend, dhe dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme.

Autoritetet u bëjnë thirrje fermerëve të ndërpresin praktikat e rrezikshme të djegies së mbeturinave dhe të respektojnë masat ligjore për parandalimin e zjarreve, ndërsa hetimet për rastet e fundit janë në vijim.