Vendosni fjalën kyçe....

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së: Sulmi i SHBA ndaj Iranit rrezikon paqen globale, zgjidhja vetëm përmes diplomacisë


Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, ka reaguar pas sulmeve amerikane ndaj Iranit, duke e cilësuar situatën si një përshkallëzim të rrezikshëm në një rajon që tashmë ndodhet në prag shpërthimi dhe përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

“Ky veprim përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare,” deklaroi Guterres, duke paralajmëruar për rrezikun real që konflikti të dalë jashtë kontrollit, me pasoja katastrofike për civilët dhe për stabilitetin global.

“Jam thellësisht i alarmuar nga përdorimi i forcës nga Shtetet e Bashkuara ndaj Iranit sot. Ky është një përshkallëzim i rrezikshëm në një rajon që tashmë ndodhet në prag shpërthimi dhe përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

Ekziston një rrezik në rritje që ky konflikt të dalë shpejt jashtë kontrollit, me pasoja katastrofike për civilët, për rajonin dhe për gjithë botën.

U bëj thirrje shteteve anëtare të de-përshkallëzojnë situatën dhe të respektojnë detyrimet e tyre sipas Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe rregullave të tjera të së drejtës ndërkombëtare.

Në këtë moment të rrezikshëm, është thelbësore të shmanget një spirale kaosi. Nuk ka zgjidhje ushtarake. E vetmja rrugë përpara është diplomacia. E vetmja shpresë është paqja”, shkroi ai ne X.