
SHBA ka dislokuar gjashtë bombardues të fshehtë B-2 në ishullin Guam, ndërsa tensionet me Iranin po rriten ndjeshëm, teksa Izraeli ka ndërmarrë më shumë se 1,000 sulme ajrore ndaj infrastrukturës raketore iraniane.
Irani ka paralajmëruar se çdo përfshirje amerikane në këto sulme do të ishte “jashtëzakonisht e rrezikshme për të gjithë”.
Sipas raportimeve të Fox News, bombarduesit B-2 janë nisur nga baza ajrore Whiteman në Missouri drejt Paqësorit, përcjell Ynet.
Këto avionë janë të vetmit që mund të mbajnë bombën shkatërruese GBU-57, e njohur si “Massive Ordnance Penetrator”, e cila është e vetmja armë që mund të depërtojë objektivin e mbrojtur thellë në nëntokë siç është objekti bërthamor Fordow i Iranit.
Edhe pse Fordow besohet të jetë 90 metra nën tokë dhe GBU-57 ka një kapacitet depërtimi rreth 60 metra, sulmet e përsëritura mund ta bëjnë objektivin të prekshëm.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, gjatë një konference të Bashkëpunimit Islamik në Stamboll, tha se Irani nuk do të rikthehet në bisedimet bërthamore me SHBA-në për sa kohë që Izraeli vazhdon fushatën e bombardimeve.
“Nuk mund të negociojmë me SHBA-në ndërkohë që qytetet tona bombardohen,” theksoi ai.
Ndërkohë, forcat ajrore izraelite (IAF) kanë ndërmarrë sulme të reja në Iranin jugperëndimor, duke shënjestruar bazën e Gardës Revolucionare Islamike në Ahvaz dhe kalimin Al-Shib në kufirin Iran-Irak, sipas burimeve nga media opozitare iraniane dhe agjencia Sabereen, e lidhur me milicitë pro-iraniane.
Që prej nisjes së Operacionit “Luanit në Ngritje” më shumë se një javë më parë, Izraeli ka kryer mbi 1,000 sulme ajrore, duke përdorur qindra avionë dhe bomba për të shkatërruar depot dhe platforma lëshimi raketash në të gjithë Iranin.
Zyrtarët izraelitë thonë se këto sulme kanë zhvendosur kapacitetet e lëshimit të raketave të Iranit drejt lindjes dhe jugut të vendit, duke i larguar nga pjesa perëndimore më afër Izraelit.
Dronët izraelitë kanë shkatërruar dhjetëra lëshues raketash dhe kanë vrarë shumë operativë iranianë.
“Këto goditje kanë shkaktuar panik në radhët e trupave iraniane, të cilët janë parë duke braktisur automjetet e lëshimit të raketave,” deklaroi një burim ushtarak izraelit. Sipas të njëjtit burim, më shumë se 200 lëshues të raketave tokë-tokë janë neutralizuar deri tani.
Komandanti i bazës ajrore të Hatzerimit, gjeneral brigade A., tha se objektivat janë raketat e armikut, depot, platformat e lëshimit dhe personeli, për të zvogëluar volumin e zjarrit ndaj Izraelit.
Forcat Ajrore izraelite raportojnë gjithashtu se kanë rrëzuar rreth 40 dronë iranianë vetëm gjatë natës së fundit, duke e çuar në mbi 470 numrin total të UAV-ve të neutralizuara që nga fillimi i operacionit – me një normë suksesi prej 99%.
Ndërkohë, mediat iraniane raportojnë se të paktën 430 persona janë vrarë dhe mbi 3,500 janë plagosur që nga fillimi i fushatës izraelite.