
Katari zhvilloi bisedime për krizën e mundshme energjetike këtë javë me kompanitë kryesore të energjisë, pas sulmeve izraelite në fushën e madhe të gazit të Iranit që është e përbashkët me Katarin, tha një burim i industrisë dhe një diplomat në rajon për Reuters.
Saad Al Kaabi, drejtor ekzekutiv i kompanisë shtetërore QatarEnergy dhe ministër i Energjisë i vendit arab të Gjirit, u bëri thirrje kompanive të paralajmërojnë SHBA-në, Britaninë dhe qeveritë evropiane për rreziqet që konflikti paraqet për eksportet e gazit nga Katari dhe kërcënimin në rritje për furnizimin global me gaz, thanë ata.
Një ndërprerje e operacionit të gazit natyror të lëngshëm (LNG) të Katarit mund të ndërpresë rreth 20% të furnizimit global, të cilin Doha e eksporton nga rezervuari më i madh i gazit në botë.
“QatarEnergy po sigurohet që qeveritë e huaja të jenë plotësisht të vetëdijshme për implikimet dhe pasojat që gjendja dhe përshkallëzimi i mëtejshëm i shkaktojnë prodhimit të gazit nga Katari”, tha diplomati, i cili foli në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së situatës.
QatarEnergy nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
Kaabi u takua gjithashtu këtë javë në Doha me ambasadorë që përfaqësojnë vendet, kompanitë e të cilëve janë të përfshira në projektin e zgjerimit të Fushës Veriore të QatarEnergy, tha diplomati.
Kompanitë kryesore amerikane ExxonMobil dhe ConocoPhillips, Shell e Britanisë, Eni e Italisë dhe TotalEnergies e Francës kanë të gjitha pjesëmarrje në zgjerim, i cili pritet të rrisë eksportet nga Katari me rreth 82% në vitet e ardhshme. Katari aktualisht prodhon 77 milionë ton gaz të lëngshëm në vit.
Deri më tani, nuk ka pasur ndërprerje në eksportet e QatarEnergy dhe dërgesat e ngarkesave janë sipas planit.
Izraeli filloi të sulmonte Iranin të premten e kaluar, duke thënë se armiku i tij i hershëm ishte në prag të zhvillimit të armëve bërthamore. Irani, i cili thotë se programi i tij bërthamor është vetëm për qëllime paqësore, u hakmor me sulme me raketa dhe dronë ndaj Izraelit.
Shtëpia e Bardhë tha të enjten se Presidenti Donald Trump do të vendosë për përfshirjen e SHBA-së në konflikt brenda dy javëve të ardhshme.

Rreziqe komplekse
Një zgjerim i mëtejshëm i konfliktit më të madh ndonjëherë midis Izraelit dhe Iranit paraqet rreziqe të shumëfishta për operacionet në QatarEnergy, eksportuesi më i madh në botë i LNG-së.
Katari tha se sulmi i Izraelit ndaj pjesës së fushës së përbashkët të gazit që i përket Iranit, rreth 200 km (124 milje) nga instalimet e QatarEnergy, ishte një veprim i pamatur.
“Kompanitë që operojnë në fusha janë ndërkombëtare dhe ka një prani globale, veçanërisht në Fushën Veriore”, u tha gazetarëve të martën Majed Al Ansari, zëdhënës i ministrisë së jashtme të Katarit.
Sulmet e mëtejshme izraelite ndaj fushës iraniane do përbënin një rrezik për punëtorët në instalimet në det të hapur të Katarit dhe mund të shkaktonin një mbyllje të operacioneve, shkruan Reuters.
Një sulm izraelit ndaj termocentralit bërthamor bregdetar të Iranit në Bushehr mund të shkaktonte gjithashtu një mbyllje, pasi ndotja e ujërave të Gjirit do e bënte të pamundur për punëtorët të hynin në platformat e Katarit, të cilat janë kryesisht në det të hapur.
Nëse Irani ndërpret transportin detar përmes Ngushticës së Hormuzit, siç kanë sugjeruar disa zyrtarë iranianë, edhe prodhimi i Katarit do ndërpritej. Kontejnerët e LNG-së të Dohas duhet të kalojnë nëpër ngushticë për të furnizuar pothuajse të gjithë klientët e Katarit, të cilët janë kryesisht në Evropë dhe Azinë Lindore.
QatarEnergy këtë javë i ka udhëzuar kontejnerët të qëndrojnë jashtë Ngushticës së Hormuzit dhe të hyjnë në Gjirin vetëm një ditë para ngarkimit, thanë dy burime për Reuters.
Blerësit aziatikë do preken më shumë nga ndërprerjet në Hormuz dhe do duhet të rrisin çmimin dhe të konkurrojnë me blerësit evropianë për të tërhequr ngarkesa gazi nga pellgu i Atlantikut.