Vendosni fjalën kyçe....

Blushi në mbrojtje të Metës: Është përgjegjës vetëm për veten, hakmarrje e Ramës dhe Dumanit


Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka hedhur akuza të ashpra ndaj drejtësisë dhe qeverisë “Rama”, duke i cilësuar si përndjekje politike veprimet ndaj kryetarit të kësaj force, Ilir Meta, i cili ndodhet në paraburgim që prej 21 tetorit 2024 me vendim të GJKKO-së.

Në një deklaratë për mediat të enjten, Blushi denoncoi se Metës i është ndaluar takimi me motrën dhe fëmijët e tij, duke e cilësuar këtë si një hakmarrje primitive nga ana e kreut të SPAK-ut, Altin Dumani, dhe kryeministrit Edi Rama.

“Në shkelje flagrante të ligjit për të paraburgosurit, Presidentit Meta i është ndaluar sot takimi javor i planifikuar me motrën dhe fëmijët, duke u justifikuar rrejshëm se ky takim është konsumuar nga unë si Sekretar i Përgjithshëm. Një mashtrim ordiner dhe i fëlliqur, si i gjithë ky proces”, deklaroi Blushi.

Ai shtoi se ndalimi i një të drejte themelore për të paraburgosurit përbën një akt hakmarrës politik, të ndërmarrë disa ditë pasi Metës iu ndalua të ushtrojë aktivitet sportiv për 10 ditë, për shkak të një interviste të dhënë nga qelia.

Në reagimin e tij, Blushi kritikoi edhe hetimet më të fundit të SPAK, që sipas tij po përpiqen ta bëjnë Metën përgjegjës për veprime të personave të tjerë.

“Ilir Meta mban përgjegjësi vetëm për Ilir Metën dhe për askënd tjetër, edhe pse prokurorët e Ramës i kërkojnë atij të mbajë përgjegjësi për kushërinjtë, shokët dhe shoqet e të tjerëve”, deklaroi ai, duke përsëritur se ndaj Metës nuk ekziston asnjë provë apo fakt penal.

Sipas Blushit, prokuroria vazhdon të zgjasë hetimet me tre muaj të tjerë, ndonëse Meta është marrë zyrtarisht i pandehur më 27 maj.

Ai e cilësoi gjithë procesin si një farsë politike të orkestruar nga Rama dhe Dumani, që sipas tij filloi me “rrëmbimin terrorist” të Metës nga forca të armatosura dhe të maskuara pa identifikim dhe vijon me izolimin ekstrem pa fakte.

Në përfundim, Partia e Lirisë iu bëri thirrje institucioneve ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës, Parlamentin Europian dhe Departamentin Amerikan të Shtetit, të reagojnë dhe të dënojnë me forcë këtë që Blushi e quajti “shkelje flagrante dhe recidiviste të të drejtave të njeriut, ligjit, Kushtetutës dhe Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut”.

Blushi paralajmëroi se e vërteta do të dalë në dritë gjatë procesit gjyqësor, që sipas tij do të jetë publik dhe do të çmontojë akuzat ndaj Metës.