
Në takimin e 19-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, Ministri i Shtetit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Taulant Balla, mbajti një fjalim të gjatë dhe të detajuar në emër të Qeverisë Shqiptare, ku theksoi se Shqipëria është më e përgatitur se kurrë për t’u bërë pjesë e familjes evropiane.
Fjalën e tij, ministri e nisi me një citat domethënës të njërit prej themeluesve të Bashkimit Evropian, Jean Monnet: “Ne nuk po krijojmë koalicione shtetesh, ne po bashkojmë njerëz.”
Sipas Ballës, “Ky vizion vazhdon të udhëheqë rrugëtimin tonë të përbashkët evropian.”
Duke shprehur falënderime për mbështetjen e vazhdueshme të Parlamentit Evropian, Balla tha: “Në emër të Qeverisë së Shqipërisë, dëshiroj të shpreh mirënjohjen tonë të thellë për mbështetjen e vazhdueshme të grupeve kryesore politike në Parlamentin Evropian për procesin e zgjerimit – veçanërisht për përkushtimin ndaj Shqipërisë.”
Ai nënvizoi se Shqipëria ka bërë përparim të konsiderueshëm në negociatat e anëtarësimit. “Që nga tetori i vitit 2024, kemi hapur 24 nga 33 kapituj. Kjo tregon jo vetëm vullnetin tonë, por edhe funksionimin e drejtë të mekanizmave të reformës,” tha ministri.
“Ne i shohim reformat jo thjesht si një listë kontrolli teknike, por si një detyrim moral dhe politik ndaj qytetarëve tanë,” vijoi Balla. Ai shtoi se këto reforma janë thelbësore për “të rivendosur besimin në institucionet dhe për të forcuar shtetin e së drejtës.”
Një moment kyç i fjalimit ishte adresimi i mbështetjes së qytetarëve për integrimin evropian: “Mbi 90% e shqiptarëve – si në vend ashtu edhe në diasporë – mbështesin anëtarësimin në BE. Për shqiptarët, ‘dielli lind nga Perëndimi’.” Ai shtoi se zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 e konfirmuan këtë orientim pro-evropian: “Qytetarët bënë një zgjedhje të qartë për të përshpejtuar procesin e integrimit.”
Balla vlerësoi veçanërisht edhe përfshirjen për herë të parë të votimit nga jashtë: “Ishte një moment historik. Organizimi i votimit për shqiptarët jashtë vendit dëshmon përkushtimin tonë ndaj pjesëmarrjes dhe përfshirjes.”
Në lidhje me vlerësimet ndërkombëtare për zgjedhjet, ai citoi raportin e OSBE/ODIHR: “Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri ishin konkurruese dhe të menaxhuara profesionalisht… kandidatët patën në përgjithësi liri në fushatë.”
Ministri u ndal edhe në reformat në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit, duke thënë: “Më 27 nëntor 2024 përfunduam procesin e vetingut për 805 gjyqtarë dhe prokurorë të shkallës së parë – një arritje e jashtëzakonshme.” Ai shtoi se ky proces ka rritur ndjeshëm “besimin publik dhe integritetin e sistemit gjyqësor.”
Ai foli edhe për përparimin e SPAK-ut dhe krijimin e sistemeve të reja për menaxhimin e rasteve: “Një Sistem i Integruar i Menaxhimit të Çështjeve, që aktualisht është në fazë pilot, do të rrisë ndjeshëm transparencën dhe efikasitetin.”
Në fund të fjalimit, Balla theksoi objektivin strategjik të Shqipërisë: “Ne synojmë të mbyllim negociatat e pranimit deri në vitin 2027 dhe të sigurojmë anëtarësim të plotë në BE brenda kësaj dekade.”
Ai përmbylli fjalën me një mesazh të qartë: “Për Shqipërinë, integrimi në Bashkimin Evropian nuk është vetëm një qëllim politik, por një destinacion natyror historik dhe një aspiratë e gjithë shoqërisë shqiptare.”