Vendosni fjalën kyçe....

Përfundon verifikimi i 94 kutive të Gramshit dhe Peqinit, 15 fletë votimi kishin vetëm një vulë


Ka përfunduar rinumërimi dhe verifikimi për 94 kuti votimi të Gramshit dhe Peqinit, pas kërkesës së Partisë Demokratike.

Nga rinumërimi rezultuan 15 fletë votimi  me një vulë dhe jo dy, siç e parashikon rregullorja e KQZ.

Po ashtu, u vu re mungesa e fletëve të papërdorura si dhe kanë rezultuar më tepër fletë votimi sesa votues.

Megjithatë nuk dihet se sa është numri i këtyre fletëve dhe nëse arrin të ndikojë në rezultatin përfundimtar.

Gjithë procesverbalet e konstatimit do i vihen në dispozicion PD që do bëjë analizën e gjetjeve dhe më pas kërkesat që kane do i paraqesin në seancën e radhës së KAS.

 

Nesër rinumërohet Tirana

 

Me mbylljen e Elbasanit këtë të martë, të mërkurën në mëngjes, në orën 9:00 do të nisë rinumërimi i plotë i gjithë qarkut Tiranë.

Ky proces do të marrë rreth 10 ditë, ku do ta hapen 1282 kuti votimi, për tu numëruar edhe vota e partive, edhe ajo mes kandidatëve. Më pas do rinumërohen 587 kuti të Fierit, dhe në fund 360 kutitë e qarkut Durrës (275 kuti brenda vendit + 85 nga diaspora).

Në Durrës, KAS-i vendosi që të rinumërojë kutitë e KZAZ-ve 21 dhe 22 të kërkuara nga PD, dhe 60 kuti të kërkuara nga kandidati demokrat Aulon Kalaja.

Procesi realizohet nga 24 tavolina numërimi, ku janë ngritur 24 grupe me gjithsej 63 punonjës të administratës zgjedhore (48 numërues + 15 zëvendësues). KQZ ka deklaruar se nuk do të kërkojë buxhet shtesë, pasi kostoja prej 21 milionë lekësh të rinj që parashikohet do të mbulohet nga kursimet e 11 majit.