Vendosni fjalën kyçe....

Shqipëria pret samitin e SEECP – Fokus në stabilitetin rajonal dhe integrimin në BE



Presidenti Bajram Begaj do të presë më 16 qershor në Tiranë kryetarët e shteteve dhe delegacionet e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), në kuadër të kryesimit të këtij procesi nga Shqipëria.

Tema e sesionit plenar të samitit do të jetë “Nxitja e Stabilitetit dhe Prosperitetit përmes Bashkëpunimit Rajonal dhe Integrimit në BE”, ku liderët pjesëmarrës pritet të riafirmojnë angazhimin për forcimin e rolit të SEECP-së dhe përshpejtimin e integrimit evropian.

Shqipëria, si kryesuese e SEECP për periudhën qershor 2024 – korrik 2025, ka kontribuar në avancimin e objektivave të Tregut të Përbashkët Rajonal dhe forcimin e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit.

Në përfundim të samitit, Presidenti Begaj do t’i dorëzojë homologut të tij bullgar, Presidentit Radev, kryesimin e radhës të SEECP-së. Përveç organizimit të samitit, Begaj pritet të zhvillojë takime bilaterale me liderët pjesëmarrës për të thelluar bashkëpunimin e Shqipërisë me vendet e rajonit.