
Një zyrtar i lartë i inteligjencës izraelite ka deklaruar se Irani zotëron aktualisht rreth 2,000 raketa balistike dhe pritet të arrijë në 8,000 brenda dy vitesh—një nga arsyet kryesore që çuan në nisjen e sulmeve parandaluese nga Izraeli ndaj territorit iranian, përcjell YNetNews.
“Forcat tona po veprojnë sipas planit. Madje, më mirë se sa ishte parashikuar,” tha zyrtari, duke shtuar se “surprizat nuk kanë mbaruar.”
Ndërkohë, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) konfirmuan se kanë goditur mbi 40 objektiva në Teheran, përfshirë infrastrukturën komanduese dhe qendrat e prodhimit të raketave. Më shumë se 70 avionë morën pjesë në operacion, duke krijuar “liri të plotë ajrore deri në Teheran,” sipas zëdhënësit të IDF-së, gjeneral brigade Effie Defrin.
Operacioni “Rising Lion” nisi pas një sulmi masiv iranian me mbi 100 raketa balistike ndaj Izraelit, që shkaktuan të paktën tre viktima dhe dhjetëra të plagosur. Në kundërpërgjigje, Izraeli nisi një fushatë të gjerë ajrore për të çmontuar kapacitetet ushtarake dhe bërthamore të Iranit.
Sipas IDF-së, në sulmet ajrore janë vrarë nëntë shkencëtarë bërthamorë iranianë dhe dhjetëra zyrtarë të lartë ushtarakë, përfshirë drejtues të Gardës Revolucionare dhe të programit raketor. Objektivat përfshijnë gjithashtu qendra kërkimore, infrastrukturë strategjike dhe objekte të fshehta nëntokësore.
Shërbimi i sigurisë së brendshme izraelite, Shin Bet, ka rritur masat e mbrojtjes për zyrtarët e lartë politikë dhe ushtarakë, për shkak të frikës nga atentate apo rrëmbime të mundshme nga Irani apo aleatët e tij rajonalë.