
Teheran – Udhëheqësi Suprem i Revolucionit Islamik, Ajatollah Sejed Ali Khamenei, deklaroi të premten në mëngjes se regjimi izraelit i ka vulosur vetes një “fat të hidhur dhe të dhimbshëm” me sulmet ajrore të natës kundër Iranit, raporton agjencia e lajmeve IRNA.
Në një mesazh drejtuar kombit iranian, vetëm pak orë pas bombardimeve që goditën Teheranin dhe qytete të tjera iraniane, Khamenei theksoi se regjimi sionist duhet të përgatitet për një ndëshkim të ashpër.
“O komb i madh iranian!” – nisi ai mesazhin e tij. “Regjimi sionist, me dorën e tij të keqe dhe të përgjakshme, kreu një krim në vendin tonë të dashur, duke zbuluar edhe më shumë natyrën e tij të ligë përmes goditjeve ndaj zonave të banuara.”
Ajatollah Khamenei tha se si pasojë e këtyre sulmeve janë vrarë disa komandantë dhe shkencëtarë iranianë, por theksoi se “pasardhësit dhe kolegët e tyre do ta vazhdojnë menjëherë punën e tyre.”
Ai shtoi se Forcat e Armatosura të Republikës Islamike të Iranit “nuk do ta lëshojnë Izraelin nga dora.”
“Me këtë krim, regjimi sionist i vulosi vetes një fat të hidhur dhe të dhimbshëm, dhe patjetër që do ta përjetojë atë fat,” përfundoi mesazhin e tij Khamenei.
Sulmet izraelite nisën gjatë natës në dhe pranë kryeqytetit Teheran, si dhe në qytete të tjera të Iranit. Pamjet tregojnë ndërtesa banimi të shkatërruara në disa zona të kryeqytetit, ndërsa dëshmitarët okularë dhe gazetarë të televizionit shtetëror iranian raportuan se trupat e grave dhe fëmijëve ishin në mesin e viktimave.