Vendosni fjalën kyçe....

Gjendet kutia e zezë në vendin e rrëzimit të avionit të Air India


Ministri i Aviacionit Civil në Indi ka konfirmuar se kutia e zezë është gjetur në vendin e rrëzimit të avionit të Air India në Ahmedabad, ndërsa familjarët e viktimave vazhdojnë të presin me ankth për të mësuar shkaqet e tragjedisë që u mori jetën 241 personave.

Avioni i linjës Air India Flight 171, me destinacion Londrën, u rrëzua në një zonë të banuar pak minuta pas ngritjes nga pista, të enjten.

Autoritetet thanë se nga 242 persona në bord, vetëm një mbijetoi – një shtetas britanik, Vishwashkumar Ramesh, i cili ndodhej në sediljen 11A. Ai është në spital dhe është shprehur: “Ende nuk e besoj që shpëtova gjallë.”

Ende nuk është përcaktuar numri i saktë i viktimave në tokë, por një zyrtar i tha BBC-së se të paktën tetë persona që ndodheshin në shtëpitë pranë vendit të rrëzimit kanë humbur jetën.

Mes viktimave ishte edhe Akash Patni, një 14-vjeçar që po flinte në dyshemenë e dhomës kur avioni u përplas me banesën e tij.

Familjarët e tij dhe shumë të tjerë janë në zi, ndërsa përpjekjet për identifikimin e trupave po bëhen përmes analizave të ADN-së.

Sipas Air India, në avion ndodheshin 169 shtetas indianë, 53 britanikë, 7 portugezë dhe 1 kanadez. Kjo është një nga fatkeqësitë më të rënda ajrore në historinë e fundit të Indisë, dhe hetimet për shkaqet e rrëzimit po vazhdojnë intensivisht.