
Më shumë se 290 persona humbën jetën kur një avion i Air India me destinacion aeroportin Gatwick në Londër u rrëzua vetëm pak minuta pas ngritjes nga qyteti perëndimor indian Ahmedabad, në aksidentin ajror më të rëndë global të dekadës së fundit.
Avioni, një Boeing 787-8 Dreamliner, kishte 242 persona në bord kur u përplas mbi një konvikt studentësh të një kolegji mjekësor gjatë orarit të drekës, duke shkaktuar edhe viktima mes banorëve në tokë.
Ky ishte aksidenti i parë fatal me këtë model avioni që kur filloi përdorimin komercial në vitin 2011.
Policia konfirmoi se të paktën një pasagjer ka mbijetuar dhe është duke u trajtuar në spital. Ai rrëfeu për mediat se dëgjoi një zhurmë të madhe menjëherë pas ngritjes.
“Afërsisht 294 kanë humbur jetën, përfshirë edhe disa studentë që ndodheshin në ndërtesën ku u përplas avioni,” tha për Reuters zyrtarja e lartë e policisë, Vidhi Chaudhary.
Pasagjeri i mbijetuar, Ramesh Viswashkumar, 40 vjeç, tha se ndodhej në vendin 11A, pranë daljes së emergjencës. Ai u gjet i gjallë mes rrënojave dhe u dërgua në spital.
“Kur u zgjova, gjithçka ishte mbuluar me trupa. U frikësova. U ngrita dhe vrapova. Kishte pjesë të avionit kudo,” tha ai. Ai gjithashtu kërkoi ndihmë për të gjetur vëllain e tij Ajay, i cili ndodhej në një rresht tjetër të avionit.
Shefi i policisë së Ahmedabadit, G.S. Malik, konfirmoi se viktimat përfshijnë si pasagjerë ashtu edhe persona në tokë. Mes të vdekurve është edhe ish-kryeministri i shtetit Gujarat, Vijay Rupani.
Familjarët e viktimave janë ftuar të japin mostra ADN-je për të identifikuar trupat, sipas sekretarit të shëndetësisë së shtetit, Dhananjay Dwivedi.
Pamjet televizive treguan avionin duke fluturuar mbi një zonë të banuar, përpara se të zhdukej nga ekrani dhe një zjarr i madh të shpërthente nga zona përtej banesave. Bishti i avionit ishte ngjitur mbi ndërtesën ku u përplas.
Sipas burimeve të Reuters, në bord ndodheshin 217 të rritur, 11 fëmijë dhe 2 foshnja. Ndër ta, 169 ishin shtetas indianë, 53 britanikë, 7 portugezë dhe 1 kanadez.
Avioni kishte ngritur nga aeroporti i Ahmedabadit në orën 13:39 sipas kohës lokale dhe kishte dhënë sinjal emergjence “Mayday”, por më pas humbi kontaktin me kontrollin ajror.
Eksperti amerikan i sigurisë ajrore, Anthony Brickhouse, theksoi se një detaj shqetësues nga videot ishte fakti që rrotat e avionit ishin ende të zbritura në një fazë kur duhet të ishin ngritur.
Ai tha: “Sikur të mos dinit që ishte pas ngritjes, do të mendonit se po përgatitej të ulej.”
Boeing tha se është në kontakt me Air India dhe po mbledh informacion për ngjarjen. Ndërkohë, aksionet e kompanisë ranë me 5%, duke qenë një goditje e rëndë për prodhuesin e avionëve, që së fundmi po përpiqej të rikthente besimin pas një sërë skandalesh prodhimi e sigurie.
Kompania GE Aerospace, që prodhon motorët e avionëve, tha se po dërgon një ekip në Indi për të analizuar të dhënat e kabinës. Po ashtu, Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit i SHBA-së do të udhëheqë ekipin amerikan që do ndihmojë në hetimet për aksidentin.
Zyra e jashtme britanike tha se është në kontakt me autoritetet indiane për të verifikuar rrethanat e tragjedisë dhe për të ndihmuar qytetarët britanikë të përfshirë.
“Tragjedia në Ahmedabad na ka tronditur dhe pikëlluar,” shkroi kryeministri indian Narendra Modi në platformën X. Gujarat është shteti i tij i lindjes.
Kryeministri britanik Keir Starmer i quajti pamjet “shkatërruese”, ndërsa një zëdhënës i pallatit mbretëror konfirmoi se Mbretit Charles po i përcillen informacione të vazhdueshme për aksidentin.
Ky ishte aksidenti i parë fatal ajror në Indi që nga viti 2020, kur një avion i Air India Express rrëshqiti jashtë pistës në Kozhikode dhe vrau 21 persona.
Air India, e cila më parë ishte në pronësi shtetërore, u ble nga grupi Tata në vitin 2022 dhe u bashkua me linjën ajrore Vistara në vitin 2024.
Hetimet për tragjedinë janë në zhvillim.
