
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka përshëndetur krijimin e Bordit të Përbashkët të Mitrovicës, që përfshin komunat e Mitrovicës së Jugut dhe asaj të Veriut, duke e cilësuar si një hap të rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit ndërkomunal.
Në një deklaratë për media, Kurti falënderoi kryetarin e Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza, dhe atë të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, për kontributin e tyre në përzgjedhjen e anëtarëve të bordit.
Ai bëri të ditur se përfaqësuesi i tij në këtë bord, i cili do të jetë edhe kryesues, është ministri për Administrimin e Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
“Ministri Krasniqi e njeh shumë mirë lëndën me të cilën do të merret, dhe jam i bindur që me përvojën dhe vullnetin që ka, do ta shtojë bashkëpunimin ndërmjet dy komunave, në të mirë të të gjithë qytetarëve pa dallim,” u shpreh Kurti.
Sipas kryeministrit në detyrë, Bordi do të ketë përfaqësim të barabartë gjinor, me pesë gra dhe gjashtë burra, dhe do të jetë një strukturë multietnike që përfshin shqiptarë, serbë, boshnjakë dhe egjiptianë.
Në përfundim, Kurti uroi anëtarët për detyrën e re dhe iu dëshiroi suksese në punën e tyre, duke e cilësuar këtë bord si një model të bashkëjetesës dhe bashkëpunimit për të ardhmen e Mitrovicës.