
Ministrat e jashtëm të vendeve evropiane janë mbledhur sot në Romë për të diskutuar mbi sigurinë dhe mbrojtjen, ndërkohë që tensionet me Rusinë po rriten ndjeshëm për shkak të sulmeve të vazhdueshme ndaj Ukrainës.
Ministri i Jashtëm i Polonisë, Radosław Sikorski, deklaroi para mediave se sulmet e fundit të Rusisë tregojnë qartë se “Vladimir Putin po tallet me përpjekjet për paqe të presidentit Donald Trump”.
Ai nënvizoi se Europa po shton përpjekjet për forcimin e mbrojtjes së përbashkët dhe se liderët duhet të “strategjizojnë për mënyrat se si ta ndihmojnë Ukrainën të mbrohet ndaj kësaj vale agresioni rus”.
Sikorski shprehu gjithashtu shqetësim të veçantë për flotën e ashtuquajtur “hije” të Rusisë – anije që transportojnë sasi të mëdha nafte nën flamuj të panjohur ose fare pa flamur – duke i konsideruar ato si një rrezik i madh për Detin Baltik, përcjell The Guardian.
Takimi i sotëm, në të cilin marrin pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s dhe Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, po shihet si përgatitje e rëndësishme për samitin e NATO-s që do të mbahet më vonë këtë muaj.
Kjo deklaratë vjen në një moment kur sulmet ruse gjatë natës në Ukrainë lanë tre të vdekur dhe ndërsa vendet evropiane, përfshirë Italinë dhe Danimarkën, po shqyrtojnë rritjen e buxheteve të mbrojtjes dhe aksesin e SHBA-së në bazat ajrore strategjike.