Vendosni fjalën kyçe....

Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së paralajmëron për rrezikun e një “holokausti bërthamor”


Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së, Tulsi Gabbard, ka paralajmëruar për rrezikun e një “holokausti bërthamor” në një video të publikuar në rrjetet sociale. Në mesazhin e saj, ajo ka kritikuar “nxitësit e luftës” për përshkallëzimin e tensioneve mes fuqive bërthamore, duke deklaruar se bota është më afër se kurrë “shkatërrimit bërthamor”, përcjell Politico.

Në videon tre-minutëshe, Gabbard ndan përvojën e saj nga një vizitë në Hiroshima, Japoni, ku ka studiuar pasojat e sulmit bërthamor amerikan në vitin 1945. Pamjet përfshijnë arkiva historike të viktimave, ndërsa Gabbard flet drejtpërdrejt për pasojat e një sulmi bërthamor në ditët e sotme.

Ajo thekson se armët bërthamore moderne janë shumë më të fuqishme se ato të përdorura në Luftën e Dytë Botërore, duke paralajmëruar se “një bombë e vetme mund të vrasë miliona njerëz brenda minutave”. Gabbard i bën thirrje publikut të kundërshtojë rrugën drejt luftës bërthamore dhe të kërkojë një botë ku askush nuk jeton me frikën e shkatërrimit total.

Komentet e saj vijnë në një kohë kur administrata Trump vazhdon negociatat me Iranin për një marrëveshje bërthamore, ndërsa tensionet globale mbi armët bërthamore mbeten të larta.