
Emisioni investigativ “Piranjat” ka depozituar sot një kallëzim penal në SPAK ndaj kryetares së komanduar të Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, duke e akuzuar për shpërdorim detyre dhe shpifje.
Sipas emisionit, kallëzimi për shpërdorim detyre përbën një detyrim ndaj interesit publik, përfaqësimi i të cilit është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e kryetares së Bashkisë. Ndërkohë, padia për shpifje ka të bëjë me deklaratat publike të Ristanit, e cila ka etiketuar gazetarët e “Piranjave” si “përndjekës”, “shantazhistë” dhe “gjobaxhinj”.
Në një reagim publik, “Piranjat” theksojnë se kanë një detyrim profesional për t’i shkuar deri në fund këtyre akuzave, me qëllim zbardhjen e të vërtetës.
“Duam të vërtetojmë para publikut se çfarë fshihet pas tyre: viktimizimi i një politikaneje, apo përpjekja për t’i mbyllur gojën medias investigative,” thuhet në deklaratë.
Gjithashtu, emisioni e konsideron këtë veprim si një standard të ri dhe të nevojshëm për të gjitha mediat, qoftë televizive apo të shkruara.
“Ne inkurajojmë kolegët që të jenë të gatshëm të mbrojnë veten ligjërisht dhe të faktojnë çdo investigim të tyrin,” – vijon reagimi.
Sipas “Piranjave”, vetëm përmes kësaj rruge mund të dilet nga “rrethi vicioz politiko-mediatik” që, sipas tyre, ka karakterizuar realitetin e trazuar të Shqipërisë në vitet e fundit.
Postimi: