
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka vendosur të zgjasë me tre muaj të tjerë hetimet ndaj kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i arrestuar më 21 tetor 2024.
Ish-presidenti akuzohet në lidhje me çështjen e lobimit në SHBA për ish-LSI-në si dhe dosjen CEZ-DIA.
Avokati mbrojtës i Metës, Kujtim Cakrani, konfirmoi sot (9 qershor) zyrtarisht vendimin, duke deklaruar se ai do të kundërshtohet ligjërisht dhe se çështja do të ndiqet deri në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.
Sipas tij, zgjatja është e pajustifikuar dhe arrestimi i Metës përbën një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut.
“Presidenti Meta mbahet ende në paraburgim pa prova konkrete, pas më shumë se shtatë muajsh nga arrestimi dhe pasi akuza i është komunikuar. Prokuroria thotë se ende po pret prova, përfshirë një akt-ekspertim për ish-vjehrrën e tij. Kjo është absurde. Si është e mundur që pas gjithë kësaj kohe, ende nuk janë mbledhur provat? Kjo është një përndjekje politike dhe një inkuizicion i pastër ndaj një lideri të opozitës,” deklaroi Cakrani për mediat.
Ai theksoi se SPAK ka tejkaluar afatet ligjore për hetimin, duke shtuar se prokuroria është e detyruar që çdo dy muaj të raportojë mbi ecurinë e hetimeve, gjë që sipas tij nuk është respektuar.
“Po përgatitemi për të çuar çështjen në Gjykatën Kushtetuese dhe më pas në Strasburg. Kjo është një betejë ligjore që do ta çojmë deri në fund,” shtoi avokati.
Sipas Cakranit, zgjatja e fundit është zyrtarisht me tre muaj, por ai paralajmëron se mund të pasohen nga zgjatje të tjera, duke e cilësuar këtë një veprim të qëllimshëm për të mbajtur Metën në burg sa më gjatë.
“Presidenti nuk është kundër hetimit, por kundër mbajtjes së tij të padrejtë në paraburgim. Çështja është politike, sikurse ishte edhe arrestimi i kryetarit të Bashkisë së Stambollit. Po jetojmë në një regjim autokratik ku drejtësia përdoret si mjet presioni ndaj opozitës,” përfundoi Cakrani.
Ai kujtoi gjithashtu se hetimet ndaj Metës kishin nisur gjashtë vite më parë dhe se deri më sot nuk është paraqitur asnjë provë bindëse që të justifikojë mbajtjen e tij në burg.