Vendosni fjalën kyçe....

FSHF letër Policisë së Shtetit për sigurinë e ndeshjes Shqipëri-Serbi: Garantuat zhvillimin e një eventi të sigurt


Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) i ka shprehur mirënjohjen e saj të thellë Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për përmbushjen e suksesshme të detyrave funksionale nga punonjësit e Policisë gjatë ndeshjes së futbollit ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë.

Në letrën e falënderimit, FSHF vlerëson  përkushtimin dhe profesionalizmin e strukturave të angazhuara për sigurimin e rendit dhe menaxhimin e fluksit të tifozëve para, gjatë dhe pas zhvillimit të këtij eventi me rëndësi të veçantë.

“Federata Shqiptare e Futbollit, letër falënderimi Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për përmbushjen e suksesshme të detyrave funksionale nga punonjësit e Policisë që garantuan rend dhe siguri publike para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes së futbollit “Shqipëri-Serbi”.

Ndër të tjera, në letrën e falënderimit shkruhet: “Kjo ndeshje përbënte një sfidë të jashtëzakonshme përsa i përket aspektit të sigurisë dhe menaxhimit të flukseve të tifozëve, e cila u përballua me përkushtim dhe kompetencë të lartë nga të gjitha strukturat e angazhuara: Policia e Rendit, Policia Rrugore, forcat RENEA, Njësitë e Ndërhyrjes së Shpejtë, si dhe strukturat inteligjente e ato mbështetëse.

Puna juaj dhe e trupave nën drejtimin tuaj garantoi zhvillimin e një eventi të sigurt, dinjitoz dhe të suksesshëm, duke treguar edhe një herë rolin thelbësor të Policisë së Shtetit në mbështetje të ngjarjeve me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare.”

Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për të garantuar parametrat e sigurisë gjatë aktiviteteve ndërkombëtare, me ndikim të madh dhe të drejtpërdrejtë te imazhi i vendit.”