Vendosni fjalën kyçe....

Italia voton për përshpejtimin e dhënies së shtetësisë për të huajt, Meloni kundër


Italianët kanë nisur të votojnë të dielën në një referendum për shkurtimin e kërkesës së qëndrimit për shtetësi, një perspektivë e kundërshtuar fuqimisht nga qeveria e djathtë e kryeministres Giorgia Meloni.

Vota, që u nis nga një peticion dhe mbështetet nga partitë e opozitës, sindikatat dhe aktivistët socialë – synon të shfuqizojë një ligj që kërkon që të huajt nga jashtë BE-së të jetojnë në Itali 10 vjet pa ndakim para se të aplikojnë për t’u natyralizuar. Qytetarët e BE-së mund të kërkojnë natyralizim pas vetëm katër vitesh.

Nëse votuesit mbështesin propozimin, të huajt pa prejardhje italiane mund të aplikojnë për shtetësi pas pesë vitesh, duke i sjellë rregullat e emigracionit të vendit në përputhje me ato të Gjermanisë dhe Francës. Rreth gjysma e 5.4 milionë banorëve të huaj të Italisë mund të kualifikohen për të aplikuar menjëherë për shtetësi, thonë mbështetësit, shkruan FT.

Megjithatë, analistët presin që pjesëmarrja të mos jetë e mjaftueshme për të qenë e detyrueshme, që kërkon 50 përqind të votuesve të kualifikuar + 1 , për të qenë e detyrueshme. Qeveria e Melonit u ka kërkuar mbështetësve të saj të abstenojnë në votimin dy-ditor, duke shpresuar ta rrëzojnë referendumin nëpërmjet angazhimit të ulët deri në mbylljen e qendrave të votimit të hënën pasdite.

 “Vetëm një pjesë e vogël e popullsisë do paraqitet në qendrat e votimit”, tha Lorenzo Pregliasco, themelues i Youtrend, një agjencie sondazhesh politike.

“Shumica e atyre njerëzve do votojnë Po. Por është shumë, shumë e mundshme që pjesëmarrja të jetë nën 50 përqind.”

Meloni tha më 5 qershor se do vizitonte një qendër votimi si “shenjë respekti” duke pasur parasysh rolin e saj si kryeministre, por jo të votonte për një masë me të cilën nuk është aspak dakord.

“Unë jam plotësisht kundër përgjysmimit të kohës së nevojshme për të aplikuar për shtetësi,” tha ajo në një forum të organizuar nga gazeta e krahut të djathtë La Verità.

“Ligji i shtetësisë në Itali është i shkëlqyer dhe shumë i hapur. Ne kemi qenë prej kohësh midis kombeve evropiane që japin numrin më të lartë të shtetësive çdo vit.”

Megjithatë, Meloni tha se Roma mund të zvogëlojë kohën e përpunimit për aplikimet e paraqitura për shtetësi, të cilat zgjasin deri në tre vjet për t’u miratuar.

“Përshpejtimi i procesit burokratik pasi të keni të drejtën për të pasur qasjen në shtetësi është një çështje tjetër”, tha ajo.

“Është diçka që na intereson dhe po punojmë për të.”

Më shumë se 788,000 migrantë të huaj dhe 567,330 fëmijët e tyre të mitur morën shtetësinë italiane midis viteve 2011 dhe 2023 bazuar në vitet e tyre të jetesës në vend.

Në atë periudhë, 92,000 të rinj të lindur dhe të rritur në Itali nga prindër emigrantë u natyralizuan pasi mbushën 18 vjeç.

Midis viteve 2016 dhe 2023, Italia u dha gjithashtu shtetësi më shumë se 98,300 personave, kryesisht që jetonin jashtë shtetit, veçanërisht në Amerikën Latine, bazuar në pretendimet e tyre për prejardhje italiane.

Megjithatë, Roma ka shtrënguar rregullat për dhënien e shtetësisë përmes prejardhjes, pas shqetësimeve në lidhje me mashtrimin dhe rritjen e numrit të latino-amerikanëve që përdorin pasaporta italiane të sapoblera për të udhëtuar në SHBA dhe gjetkë.

Italia po përballet me një nga krizat më të mprehta demografike të Evropës. Popullsia e saj po plaket me shpejtësi, me rreth një të katërtën e italianëve mbi 65 vjeç dhe vetëm 12 përqind të moshës 14 vjeç ose më të rinj.

Të huajt tani përbëjnë 11 përqind të të gjithë nxënësve në shkollat ​​italiane, dhe 13.5 përqind e lindjeve të reja të vitit të kaluar ishin të huaj.