Vendosni fjalën kyçe....

Jorida Tabaku nga Kuvendi: Zgjedhjet e 11 majit ishin një mundësi e humbur për Shqipërinë


Deputetja demokrate Jorida Tabaku ka mbajtur një deklaratë të fortë nga foltorja e Kuvendit, ku ka kritikuar procesin zgjedhor të 11 majit, duke e quajtur atë “një mundësi e humbur” për Shqipërinë dhe për rrugëtimin e saj drejt integrimit evropian.

Sipas Tabakut, këto ishin zgjedhjet e para që zhvilloheshin në kuadër të negociatave të hapura me Bashkimin Evropian, dhe qeveria kishte një shans për të treguar se Shqipëria është e aftë të organizojë zgjedhje sipas standardeve evropiane.

 “A tregoi Shqipëria që zbaton standard çdo ditë? Më vjen keq të them por këto zgjedhje ishin një mundësi e humbur për Shqipërinë,” u shpreh ajo.

Tabaku theksoi se problemet e përsëritura në raportet ndërkombëtare si financimi i partive politike, reforma zgjedhore dhe hetimi i krimeve zgjedhore janë ende të pazgjidhura, duke kaluar nga një raport progresi në tjetrin pa ndryshim real.

“Që nga viti 2013 e deri më sot, Shqipëria ka më shumë kritere dhe më pak vullnet për t’i zbatuar,” tha ajo.

Duke iu përgjigjur zërave që kritikojnë denoncimet për problemet në zgjedhje si “antishqiptare”, Tabaku deklaroi: “Nuk është antishqiptar ai që ngre shqetësime. Antishqiptar është ai që mungesën e vullnetit politik e kthen në një barrierë për integrimin.”

Ajo përfundoi me një thirrje për reflektim të thellë mbi dështimin për të ndërtuar standardet minimale të demokracisë gjatë dekadës së fundit.