
Procesi ndaj Leonard Dukës dhe të pandehurve te tjerë të akuzuar për vrasjen e Santiago Malkos është shtyrë për shkak se një nga anëtarët e trupës dhe prokurori i çështjes ndodhen në proces paralel ku po dëshmon i penduari i drejtësisë Artan Tafani, i cili po zbërthen krimet e bandës së Laert Haxhiut.
Kujtojmë se në dëshminë e bërë në GJKKO më 24 tetor 2024 Leonard Duka, ka mohuar akuzat se qëndron pas vrasjes së ish-policit Santiago Malko, krim i ndodhur më 27 Gusht të vitit 2019 në Tiranë.
Leonard Duka dhe Santiago Malko ishin miq me njëri-tjetrin, por dyshohet se shoqëria e tyre u prish pasi ish-polici i dhunoi babain.
Por, Leonard Duka ka mohuar që babai i tij të jetë dhunuar apo fyer, duke theksuar se “nuk kemi pasur asnjëherë konflikt, as unë dhe as familja ime”.
Ai ka thënë se shok i tyre i përbashkët ishte Ervis Martinaj dhe se para ekzekutimit të Santiago Malkos kishin 3 vite pa u takuar.
“E kam pasur shokë prej 15 vjetësh, jemi ndarë në 2017, secili në punën e vet. Por e kam ruajtur respektin për të”, tha Duka teksa theksoi se “kur e kam takuar s’ishim vetëm, por kemi qenë me miq të përbashkët”.
Leonard Duka: Nuk kemi pasur asnjëherë konflikt, as unë as familja ime. Çuna të rinj jemi, jemi zënë, jemi gri, pse ty nuk të ka ndodhur ndonjëherë të zihesh. Kjo punë nuk ka lidhje me ngjarjen, nuk e di sa herë është zënë vëllai im rrugëve.
Sherrin e vëllait, Erlisit, e kam marrë vesh nëpërmjet robve të mi, se isha në Gjermani. Mora vesh që vëllai është zënë për çështje pse më shef. Në dijeni për vëllain më vuri babi. Me vëllain nuk komunikova dot se u fut në burg, pastaj në gjyq.