
Kompania postare ndërkombëtare DHL e ka cilësuar si shumë të suksesshëm operacionin për shpërndarjen e fletëve të votimit për diasporën në zgjedhjet e 11 majit.
Në një reagim zyrtar, disa orë pas reagimit të KQZ-së, DHL thekson se i ka shpërndarë zarfat me fletët e fotimit në 85 vende në një operacion të jashtëzakonshëm ku janë shpërndarë 92 për qind e zarfave të marrë në dorëzim me 245704 dërgesa nga të cilat janë kthyer mbrapsht 201586 zarfa me fletë votimi.
Sipas DHL-së, procesi është mbikëqyrur nga Qendra e Kontrollit të Cilësisë për Europën (QCC Europe) në Gjermani. Kompania vëren gjithashtu se të gjitha sfidat u përmbushën me sukses dhe se integriteti i shërbimit është i padiskutueshëm dhe pakompromentueshëm nga çdo interes financiar e politik.
“DHL Albania, si pjesë e rrjetit global DHL me prani në më shumë se 220 vende, realizoi këtë projekt kompleks në një afat rekord, duke garantuar procesimin dhe dorëzimin e materialeve zgjedhore me saktësi, siguri dhe transparencë të plotë. Për këtë qëllim, u aktivizua një avion i dedikuar që operoi çdo ditë deri në afatin e fundit të vendosur nga KQZ (19:00, 11 Maj 2025). Sfidat e mëdha –nga kufizimet kohore deri te kompleksiteti gjeografik dhe problematikave në cilësinë e të dhënave në dispozicion – u tejkaluan me profesionalizëm, duke përdorur teknologjinë dhe infrastrukturën e përparuar të DHL. Integriteti i shërbimit të DHL është i padiskutueshëm dhe i pakompromentueshëm ndaj çdo interesi, financiar apo politik.”
DHL thekson gjithashtu se ka respektuar në përputhje të plotë kontratën me KQZ-në. Më herët KQZ, në një përgjigje për organizatën Diaspora e Lirë sqaroi se nëse DHL ka kontraktuar palë të tretë për shpërndarjen e zarfeve me fletët e votimit kjo është shkelje e kontratës.
“DHL realizoi projektin duke respektuar në mënyrë e përputhje të plotë çdo detyrim kontraktual me KQZ, zbatoi çdo protokoll në procese dhe procedura për dërgimin e fletëve të votimit në 85 shtete si dhe duke respektuar në të gjitha këto shtete protokollet e shpërndarjes së sigurt në adresat përkatëse. Transparenca, kontrolli dhe regjistrimi i proceseve dhe procedurave, vëzhgimi dhe krijimi i lehtësirave për vëzhguesit e subjekteve politike në Shqipëri ishte i plotë, i gjithanshëm dhe i mirëpritur. Jemi të lumtur që kemi marrë vlerësimet maksimale nga të gjithë vëzhguesit e subjekteve politike pa përjashtim të cilët vëzhguan nga afër dhe pa ndërprerje proceset e përgatitjes së dërgesave, dërgimit të fletëve të votimit jashtë vendit dhe dorëzimin e votave në kthim.” – thuhet në reagimin e kompanisë.