
Partia Demokratike ka akuzuar Bashkinë e Gramshit dhe kryetarin e saj, Besion Ajazi, për “shpërdorim detyre dhe fshehje të së vërtetës” pas skandalit të infektimit me bakterin salmonela në çerdhet dhe kopshtet e qytetit.
Sipas PD-së, shkaku i infeksionit është mungesa e kontrollit dhe kontraktimi i një kompanie me histori të errët në tenderat publikë.
Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja për Antikorrupsionin në PD, Genta Vangjeli, tha se “kryetari i bashkisë ka mashtruar publikisht duke pretenduar se nuk e dinte emrin e kontraktorit, nuk njihte vlerën e tenderit dhe nuk mund të kishte dijeni për çdo kontratë prokurimi”.
“Kryetari i Bashkisë, në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, është jo vetëm përgjegjës për firmosjen e urdhrit të prokurimit dhe miratimin e raportit përmbledhës të procedurës, por është edhe personi që firmos kontratën me subjektin fitues. Si mund të pretendojë se nuk e di kush është kontraktori, kur vetë ka nënshkruar kontratën me ‘Nelsa shpk’ më 12 dhjetor 2023?”, deklaroi Vangjeli.
Sipas saj, “është e papranueshme që një kryebashkiak të fshihet pas justifikimeve të tilla banale në një kohë kur fëmijët janë infektuar dhe prindërit kërkojnë llogari”.
PD nënvizoi se kompania që ka furnizuar me ushqime institucionet arsimore të qytetit, “Nelsa shpk”, ka qenë subjekt i një vendimi penal të formës së prerë në vitin 2018, lidhur me një çështje korrupsioni në tenderat e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
“Edhe pse me një të kaluar të dënueshme, kjo kompani ka fituar tenderin për furnizimin me ushqime për çerdhet, kopshtet dhe konviktin e shkollës së mesme në Gramsh me një kontratë 24-mujore”, u shpreh Vangjeli.
Ajo theksoi se: “Në një vend normal, një subjekt i dënuar nuk duhet të ishte lejuar të konkurrojë në asnjë procedurë prokurimi publik. Por në Shqipëri, për shkak të kapjes së shtetit, operatorë me rekorde penale vazhdojnë të përfitojnë miliona euro nga buxheti i shtetit”.
PD citon të dhënat e platformave spending.data.al dhe opencorporates.al, sipas të cilave “Nelsa shpk” ka përfituar kontrata publike në vlerën e 8.5 milionë eurove edhe pas dënimit penal. “Autoritetet publike kanë shkelur ligjin për prokurimin publik, që ndalon kualifikimin e operatorëve të dënuar për korrupsion”, tha Vangjeli.
Ajo i kujtoi kryebashkiakut Ajazi detyrimet ligjore që rrjedhin nga ligji Nr. 10296, datë 8.7.2010 “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”.
“Neni 8 dhe 9 e përcaktojnë qartë se çdo titullar institucioni ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë për menaxhimin e fondeve publike dhe për parandalimin e riskut që këto fonde të përfundojnë në duar të personave të dënuar apo të dyshuar për korrupsion”, shtoi ajo.
Në fund të deklaratës, Partia Demokratike apeloi organet ligjzbatuese që të ndërhyjnë: “Apelojmë SPAK-un dhe institucionet përkatëse që të hetojnë me prioritet këtë rast dhe të ndëshkojnë përgjegjësit, sepse fëmijët nuk mund të jenë të pasigurt, dhe shqiptarët nuk mund të jetojnë në një vend ku mungon përgjegjësia shtetërore”.