
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në një takim disa anëtarë të stafit të Kongresit amerikan, të cilët janë pjesë e programit “2025 Balkan Forward Fellows”.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti i falënderoi për vizitën dhe për angazhimin e tyre në çështjet që kanë të bëjnë me Ballkanin Perëndimor.
Ai foli për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke theksuar se këto raporte janë “forcuar ndër vite” përmes mbështetjes dypartiake në Kongresin amerikan. Megjithatë, vlen të theksohet se gjatë mandatit të tij, Kurti ka pasur mospajtime publike me Administratën Trump, ndërsa gjatë presidencës Biden marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Uashingtonit kanë kaluar në periudha tensioni.
Në takim, Kurti ka folur edhe për procesin e dialogut me Serbinë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Ai ka përsëritur rëndësinë që, sipas tij, ka nënshkrimi i Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit të saj të dakorduar në Ohër.
“Gjatë bisedës, u diskutua rrugëtimi i Kosovës drejt Bashkimit Evropian dhe reformat përkatëse, fuqizimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, dhe procesi i dialogut me Serbinë i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Për këtë të fundit, kryeministri ritheksoi rëndësinë e nënshkrimit të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit të saj të dakorduar në Ohër”, thuhet në komunikatën e ZKM-së.
Vizita e stafit të Kongresit amerikan në Kosovë vjen në kuadër të përpjekjeve për të thelluar kuptimin dhe bashkëpunimin rajonal me institucionet e Shteteve të Bashkuara.