
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka ndarë një fond prej 30 milionë denarësh nga buxheti qendror për të mbështetur viktimat e tragjedisë në diskotekën e Koçanit. Nga kjo shumë, 11.2 milionë denarë janë transferuar tashmë për të mbuluar shpenzimet e trajtimit jashtë vendit të të lënduarve me gjendje më të rëndë.
Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, gjatë një seance parlamentare u shpreh se reagimi i Qeverisë ishte i menjëhershëm dhe i koordinuar në disa drejtime. Një pjesë tjetër e ndihmës financiare po shpërndahet përmes Kryqit të Kuq, me fonde të mbledhura nga qytetarët përmes linjës së hapur të donacioneve. Deri më tani, përmes kësaj iniciative janë grumbulluar mbi 100 milionë denarë.
“Përveç fondeve të buxhetit, ne realizuam një fushatë përmes Kryqit të Kuq, ku morën pjesë të gjithë — deputetë dhe funksionarë si nga shumica ashtu edhe nga opozita, për të ndihmuar sa më shpejt familjet e prekura,” deklaroi ministrja.
Dimitrieska-Koçoska theksoi gjithashtu se përveç kësaj ndihme të drejtpërdrejtë, do të ofrohet edhe mbështetje afatgjatë për trajtimin mjekësor të të lënduarve me plagë të rënda, përmes Fondit për Sigurim Shëndetësor të Maqedonisë së Veriut (FSSHM).