Vendosni fjalën kyçe....

Shqipëria në qendër të Ekonomisë Kreative, ministri Gonxhja: Po afirmohemi me dinjitet në ekonomi, turizëm, inovacion e teknologji


Në takimin ministerial të Procesit të Berlinit për Ballkanin Perëndimor mbi Ekonominë Kreative, mbajtur në Kotor të Malit të Zi, u shpall zyrtarisht Paketa e Përkrahjes për Ekonominë Kreative, e cila pritet të gjenerojë deri në 700 milionë euro vlerë të shtuar dhe mbi 70 mijë vende pune në rajon.

Në këtë ngjarje të rëndësishme, të drejtuar nga e Ngarkuara Speciale e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce, morën pjesë edhe zyrtarë të lartë të British Council, përfaqësues të Bankës Botërore, si dhe institucione e organizata partnere ndërkombëtare.

Shqipëria u përfaqësua nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, i cili theksoi se vendi po njeh zhvillim të ndjeshëm në disa sektorë strategjikë.

“Theksuam progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian dhe zhvillimet pozitive në sipërmarrjet e reja, ekonomi, turizëm, inovacion e teknologji. Ekonomia kreative s’është më alternativë, por një motor zhvillimi që mund të gjenerojë deri në 700 milionë euro vlerë të shtuar në ekonomi dhe mbi 70 mijë vende pune në Shqipëri!”, – deklaroi ministri Gonxhja në rrjetin social Facebook.

Ministri bëri të ditur se raundi i parë i fondeve për përkrahjen e ekonomisë kreative do të nisë menjëherë, ndërsa raundi i dytë pritet të zyrtarizohet në muajin tetor në Londër.

“Shqipëria po afirmohet si një aktor me dinjitet në hartën kulturore dhe ekonomike të Evropës, ku ngritja e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit u çmua si një shembull domethënës i qeverisjes, në përputhje me agjendën globale të zhvillimit ekonomik të qendrueshëm e inovativ,” – u shpreh ai.