
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka reaguar zyrtarisht lidhur me helmimin masiv të ndodhur në kopshtin Nr. 1 në qytetin e Gramshit më 20 maj, ku u përfshinë 72 persona, mes tyre 53 fëmijë dhe 19 anëtarë të stafit.
Sipas AKU-së, analizat paraprake për dy produkte, qumështin dhe kofshët e pulës, nuk kanë rezultuar me prani të bakterit Salmonella spp.
Ngjarja u mbajt e fshehtë për disa ditë nga institucionet shëndetësore dhe vendore, deri sa u denoncua publikisht më 25 maj nga një familjar i njërit prej fëmijëve të prekur.
Në njoftimin e publikuar të mërkurën, AKU bën me dije se analizat janë kryer në laboratorin e referencës pranë ISUV dhe se për disa nga kampionet e marra, konkretisht qumësht dhe kofshë pule të kampionuara nga DRAKU Elbasan dhe DRAKU Tiranë – rezultatet kanë dalë negative për salmonelë.
Ndërkohë, analizat për vezët e kampionuara nga DRAKU Elbasan dhe për kofshët e pulës të marra nga DRAKU Tiranë janë ende në proces.
“Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vijon ndjekjen e procedurave ligjore dhe informimin e publikut, lidhur me kampionaturat e marra në produktet ushqimore lëndë e parë në kopshtin Nr. 1 në qytetin e Gramshit dhe në subjektin furnizues në Tiranë”, thuhet në deklaratë.
AKU ka theksuar gjithashtu se do të vazhdojë të informojë publikun sapo të përfundojnë të gjitha analizat në produktet e dyshuara.
Komunikim për publikun i AKU
Në kuadër të transparencës, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vijon ndjekjen e procedurave ligjore dhe informimit të publikut, lidhur me kampionaturat e marra në produktet ushqimore lëndë e parë në kopshtin Nr .1 në qytetin e Gramshit dhe në subjektin furnizues në Tiranë, të cilat u dërguan për analizim për treguesin Salmonella spp pranë Laboratorit të Referencës në ISUV.
Informojmë se për mostrat e dërguara për analizim për produktet lëndë e parë qumësht dhe kofshë pule, të kampionuara nga DRAKU Elbasan, si dhe produktet qumësht, kofshë pule, vezë e kampionuar nga DRAKU Tiranë, kanë rezultuar të pastër për treguesin Salmonella spp.
Ndërsa për produktin vezë kampionuar nga DRAKU Elbasan dhe kofshë pule kampionuar nga DRAKU Tiranë, analizimi është ende në proces.
Sapo të kemi këtë informacion, AKU do të vijojë me informimin e mëtejshëm të publikut.