Vendosni fjalën kyçe....

UNESCO rekomandon Luginën e Vjosës si Rezervat Biosfere, Rama: Lajm që na mbush me krenari pas një pune me vizion të qartë


Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas rekomandimit zyrtar të UNESCO-s për shpalljen e Luginës së Vjosës si Rezervat Biosfere. Në një postim në rrjetet sociale, Rama e cilëson këtë si një njohje të jashtëzakonshme ndërkombëtare për natyrën e egër të Vjosës dhe për përpjekjet e institucioneve shqiptare në mbrojtjen e saj.

Sipas tij, kjo arritje vjen pas një pune të gjatë e të përkushtuar nga Ministria e Turizmit, Agjencia e Zonave të Mbrojtura dhe mbështetja ndërkombëtare. 

Postimi i plotë:
Një lajm që na mbush me emocion dhe krenari pas një pune të gjatë, me një vizion të qartë:
#UNESCO ka dhënë rekomandimin zyrtar që Lugina e Vjosës të shpallet Rezervat Biosfere.
Është më shumë se një vlerësim ndërkombëtar — është njohja ndaj bukurisë së egër të Vjosës, mirënjohja për njerëzit e atyre trevave që jetojnë në harmoni me natyrën dhe për përpjekjet e përbashkëta në mbrojtjen e lumit të fundit të egër të Europës.
Dhe asgjë nuk ka ndodhur rastësisht, por vjen pas një pune shumë intensive të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, nga vizita e parë e Drejtoreshës së Përgjithshme të UNESCO-s Audrey Azoulay në Vjosë në shkurt 2023, e deri te puna e palodhur e specialistëve të zonave të mbrojtura që ndoqën çdo hap me përkushtim e profesionalizëm.
Vjosa sot nuk është vetëm lumi, por është MODELI i zhvillimit të qëndrueshëm, ku natyra frymëzon ndërsa në shtator të këtij viti pritet miratimi përfundimtar nga Këshilli i Rezervateve të Biosferës të UNESCO-s për përfshirjen e Vjosës në listën e pasurive botërore si një himn për natyrën dhe për njerëzit.