
Fakt domethënës e quajti kreu i PD-së Berisha mosreagimin e SHBA-së dhe ambasadës amerikane në Tiranë lidhur me zgjedhjet e 11 majit, ndryshe nga qëndrimet për zgjedhjet e herëve të shkuara kur reagimet kanë qenë të menjëhershme.
Kryedemokrati theksoi se pak ditë më parë zyrtari i lartë i Departamentit të Drejtësisë që vizitoi Tiranën, foli për kartele në Shqipëri dhe kërkoi luftë ndaj tyre.
Berisha tha gjithashtu se kryeministri Rama u ka dhënë kontrollin e Portit të Durrësit grupit të Durrësit të cilin e cilësoi si kartel.
“Se çfarë qëndrimi do mbajë administrata amerikane unë nuk e di, por fakti që nuk e kanë bërë ende është domethënës. Nëse bëjmë një krahasim me dy zgjedhjet e fundit kur e kanë uruar brenda 24 orësh, fakti që nuk e kanë bërë ende mund të nënkuptojë se po marrin kohë për të shqyrrtuar. Para pak ditësh erdhi një përfaqësues i lartë i Departamentit të Drejtësisë foli për kartele droge, ky është një ndryshim cilësor. Në një raport ata kanë thënë se Shqipëria është epiqendra e organizata kriminale e rajonit, Evropës, Amerikës së Veriut dhe Amerikës së Jugut, por kartel nuk kishin thënë deri më sot, klasifikimi kartel bën një ndryshim shumë serioz. Trump i klasifikoi kartelet si organizata terroriste. Ata që drejtojnë Portin e Durrësit janë kartel, Troplinët kontrollojnë 100% Portin e Durrësit dhe ka vite që nuk kapet asnjë gram heroinë, kokainë, asgjë.” – tha Berisha.