Vendosni fjalën kyçe....

Detaje të reja nga operacioni antidrogë: 4.5 milionë euro të transportuara me autobusë, rrjeti u zbulua nga bisedat në SkyECC



Hetimi i përbashkët mes autoriteteve shqiptare dhe atyre italiane ka nxjerrë në dritë funksionimin e një rrjeti të fuqishëm kriminal ndërkombëtar, që merrej me trafikun e heroinës dhe kokainës mes Shqipërisë dhe Italisë.

Sipas autoriteteve, hetimi që zgjati nga shtatori 2021 deri në qershor 2022, dokumentoi ekzistencën e tre organizatave kriminale transnacionale që vepronin mes Barit dhe Durrësit. Organizatat italiane, aktive në rajonin e Puglias, ishin në kontakt të drejtpërdrejtë me një klan të fuqishëm shqiptar me bazë në Durrës, i cili menaxhonte trafikun e drogës nga Turqia dhe Amerika Latine drejt Evropës Jugore dhe Italisë.

Zbulimet u bënë të mundura falë përgjimeve të shumta telefonike, ambientale, video dhe rikuperimit të bisedave të koduara në aplikacionin SkyECC. Autoritetet kanë dokumentuar dërgesa të shumta narkotikësh, përfshirë 255 kilogramë kokainë dhe heroinë të pastër, të transportuara drejt Italisë me anë të korrierëve ndërkombëtarë.

Gjithashtu, hetimet zbuluan një rrjet të sofistikuar të pastrimit të parave, ku mbi 4.5 milionë euro para të gatshme u transportuan nga Puglia drejt Shqipërisë me autobusë, duke u maskuar si udhëtime të rregullta pasagjerësh.

Operacioni në fjalë çoi në ekzekutimin e dhjetëra masave sigurie dhe sekuestrimin e pasurive të shumta në Shqipëri, përfshirë restorante, biznese dhe një televizion lokal. Autoritetet shqiptare dhe italiane vijojnë hetimet për të zbardhur të gjitha lidhjet e përfshira në këtë skemë kriminale.