Vendosni fjalën kyçe....

Prokurori Mara për operacionin antidrogë: Masa nga GJKKO edhe për disa zyrtarë dhe një avokat



Prokurori Vladimir Mara ka bërë publike detaje të reja rreth një operacioni të gjerë antidrogë, i zhvilluar në bashkëpunim mes autoriteteve shqiptare dhe italiane, që ka çuar në goditjen e një grupi të fuqishëm kriminal të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve.

Sipas tij, janë lëshuar 52 masa sigurie në Shqipëri dhe Itali, prej të cilave 40 janë ekzekutuar deri tani. Ndër të arrestuarit përfshihen edhe zyrtarë shtetërorë dhe një avokat, të dyshuar për përfshirje në veprimtari korruptive dhe mbështetje të rrjeteve kriminale.

“Janë dokumentuar vepra të rënda penale, përfshirë trafikim narkotikësh, pjesëmarrje në grupe të strukturuara kriminale dhe korrupsion. Masa sigurie janë vendosur nga GJKKO për disa zyrtarë dhe një avokat,” deklaroi Mara.

Në kuadër të hetimeve janë sekuestruar pasuri të konsiderueshme, që dyshohet se rrjedhin nga aktiviteti kriminal. Ndër to përfshihen tre restorante dhe një bar-kafe në Durrës, gjashtë shoqëri tregtare si dhe një televizion në qytetin e Vlorës.

Gjithashtu, janë sekuestruar edhe 3 milionë euro cash, që dyshohen si të ardhura të paligjshme nga veprimtaria e grupit kriminal.