
Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), Armela Krasniqi, ka firmosur sot një Memorandum Bashkëpunimi me Inspektoratin Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore (ISHPSHSH), me qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në sektorin e mediave.
Marrëveshja ka për objektiv nxitjen e ndërgjegjësimit dhe respektimit të ligjit për kushtet e punës në mediat audiovizive, përfshirë mbrojtjen e gazetarëve dhe punonjësve të tjerë të sektorit, pagat, sigurimet shoqërore dhe mirëqenien në vendin e punës.
Në kuadër të bashkëpunimit, janë parashikuar organizimi i aktiviteteve informuese dhe ndërgjegjësuese me pjesëmarrjen e aktorëve të interesuar, shpërndarja e materialeve edukative, si dhe shkëmbimi efikas i informacioneve për identifikimin e strukturave dhe përgjegjësive në sektorin mediatik.
Kryetarja Krasniqi theksoi se ky bashkëpunim synon rritjen e transparencës dhe zbatueshmërisë së ligjeve që garantojnë të drejtat dhe sigurinë në punë për profesionistët e medias.
Nga ana tjetër, kreu i ISHPSHSH, Eljo Muçaj, u angazhua për një bashkëpunim të ngushtë në përmirësimin e kuadrit ligjor dhe rregullator, përmes takimeve të përbashkëta me sindikatat dhe përfaqësuesit e punëmarrësve dhe punëdhënësve.
Qëllimi është të evidentohen nevojat për ndryshime në legjislacion që garantojnë më mirë të drejtat e punës dhe përmirësimin e kushteve në këtë sektor.
Ky hap vjen në një moment kur mediat përballen me sfida të vazhdueshme lidhur me të drejtat e punonjësve dhe rritjen e standardeve të mbrojtjes në punë.