Vendosni fjalën kyçe....

Berisha dhe Malltezi përballen me drejtësinë për dosjen “Partizani”, Gjykata e Posaçme dërgon çështjen për gjykim


Pas shtatë muajsh zvarritje proceduriale, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur sot dërgimin për gjykim të çështjes së njohur si afera “Partizani”, duke shënuar nisjen e përballjes së parë të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, me drejtësinë.

Vendimi u mor nga gjyqtarja Fjorela Davidhi, e cila rrëzoi përpjekjen e fundit të mbrojtjes për të shtyrë seancën, duke kërkuar pavlefshmërinë e vendimeve të mëparshme të gjyqtares Irena Gjoka.

Me këtë vendim, Berisha dhe të bashkëpandehurit e tij pritet të ulen në bankën e të akuzuarve për një nga aferat më të bujshme të pas privatizimit të pronave publike.

Në këtë çështje, përveç Sali Berishës dhe dhëndrit të tij, do të gjykohen edhe biznesmeni Fatmir Bektashi, ortaku i Malltezit Xhimi Begeja dhe financierja e kompanisë ‘Homeplan’, Andia Pustina.

Prokuroria e Posaçme i akuzon ata për një aferë të përmasave të mëdha, që lidhet me ndërtimin e të paktën 19 kullave në truallin e ish-klubit sportiv “Partizani”, ku përfitues direkt ka qenë Malltezi.

Sipas akuzës, privatizimi dhe më pas zhvillimi i truallit janë realizuar nëpërmjet shfrytëzimit të pushtetit politik të Berishës, në një skemë të dyshuar korrupsioni dhe pastrimi parash që ka përfshirë edhe bashkëpunëtorë të tjerë të afërt.

 

Lista e të pandehurve dhe akuzat:

  • Sali Berisha – Ish-kryeministër, akuzohet për “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhur vendorë”, në bashkëpunim me dhëndrin Jamarbër Malltezi, në bazë të neneve 260 dhe 25 të Kodit Penal.
  • Jamarbër Malltezi – Dhëndri i Berishës, akuzohet për “Korrupsion pasiv” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, duke përfituar nga ndikimi i Berishës si kryeministër.
  • Fatmir Bektashi – Biznesmen dhe ndërtues, akuzohet për “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë” dhe “Pastrimi i parave”.
  • Xhimi Begeja – Ortak i Malltezit dhe bashkëpronar i kompanisë ‘Homeplan’, akuzohet për “Pastrimi i parave”.
  • Andia Pustina – Financiere dhe përgjegjëse për operacionet ligjore e financiare të ‘Homeplan’, akuzohet për “Pastrimi i parave”.

Aktualisht, Berisha ndodhet nën masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, ndërsa Malltezi është nën “arrest shtëpie”.

Ndërkohë, mbetet për t’u parë se si do të vijojë procesi gjyqësor dhe çfarë pasojash politike dhe ligjore do të sjellë për të përfshirët.