Vendosni fjalën kyçe....

Adriatik Lapaj reagon për rezultatin zgjedhor: Sistemi elektoral i padrejtë, Nisma SHB është forcë e tretë politike


Drejtuesi i koalicionit politik Nisma Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me rezultatin e deritanishëm të zgjedhjeve të 11 majit, duke ngritur akuza për padrejtësi në sistemin elektoral dhe manipulim të votës nga forca të tjera politike.

Në deklaratën e tij, Lapaj shprehet se koalicioni që ai drejton është tashmë forca e tretë politike në vend, duke theksuar se ky rezultat është arritur përballë një sistemi që, sipas tij, favorizon partitë e mëdha. Ai nënvizon se Partia Socialiste ka marrë vota për 73 mandate, por ka përfituar 83 për shkak të sistemit, ndërsa Nisma Shqipëria Bëhet, me afro 63 mijë vota, duhet të kishte të paktën 6 mandate, por aktualisht ka vetëm një të konfirmuar dhe po lufton për të dytin në qarkun e Fierit.

Lapaj akuzon se rezultati është ndikuar nga “ata që kërcënojnë, blejnë dhe vjedhin votë” dhe kërkon ndryshim të menjëhershëm të ligjit elektoral, duke propozuar modelin proporcional kombëtar me lista të hapura, si në Kosovë.

“Sistemi elektoral u dëshmua para të gjithëve si i padrejtë. PS e nxori 1 mandat me afro 10 mijë vota, ndërsa koalicioni ynë me afro 63 mijë. Duhet ndryshuar ligji elektoral”, shprehet ai.

Lapaj thekson gjithashtu se lëvizja politike që ai drejton është e hapur për çdo qytetar që beson te vlerat, dhe bën thirrje për bashkim në rrethin e forcave të reja politike, për të ndërtuar një alternativë ndryshe në vend.

Edhe pse e dinte paraprakisht që sistemi aktual e penalizonte forca si e tij, Lapaj pranon se maksimizimi i votës përmes një koalicioni më të gjerë nuk u arrit, për arsye që ai nuk i detajon, por lë të kuptohet se kanë qenë faktorë të shumtë që ndikuan.

Ndërkohë, vëmendja e Nismës është përqendruar në numërimin e fundit të votave nga diaspora në Greqi, që mund të sjellin marrjen e mandatit të dytë, duke ia hequr atë Partisë Socialiste në Fier.