Vendosni fjalën kyçe....

Keir Starmer: Dje isha në Durrës dhe pashë nga afër bashkëpunimin mes forcave tona


Kryeministri britanik Keir Starmer, gjatë fjalës së tij në Samitin e Komunitetit Politik Evropian që po zhvillohet në Tiranë, vuri theksin te sfida e përbashkët që përfaqëson emigracioni i paligjshëm, duke e cilësuar atë një çështje që prek të gjithë kontinentin dhe kërkon bashkëpunim të ngushtë.

“Një tjetër sfidë është emigracioni, që prek veçanërisht më të varfrit dhe ushtron presion mbi shërbimet tona. Kjo është arsyeja pse e kam bërë pjesë të axhendës sime. Është një sfidë përtej kufijve tanë, ndaj kërkon një qasje të përbashkët,” deklaroi Starmer.

Ai përmendi vizitën e tij një ditë më parë në portin e Durrësit, ku vlerësoi bashkëpunimin mes forcave britanike dhe shqiptare në luftën kundër krimit ndërkufitar dhe trafikimit.

“Dje isha në Durrës dhe pashë nga afër bashkëpunimin mes forcave tona. Ne po luftojmë së bashku për të ndalur emigracionin e paligjshëm dhe krimin ndërkufitar. Duhet të bëjmë më shumë për të forcuar sigurinë ekonomike dhe për të siguruar kufijtë tanë të përbashkët,” u shpreh ai.

Starmer theksoi gjithashtu rëndësinë e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare me aleatët, duke bërë thirrje për uljen e barrierave tregtare në mënyrë që Evropa dhe partnerët e saj të jenë më të përgatitur për të përballuar kohë të pasigurta.

“Në një kohë luhatjesh dhe pasigurie globale, do të reagojmë duke marrë rolin tonë në skenën botërore,” përfundoi kryeministri britanik.