
Shoqëria që zotëron rrjetin më të madh të farmacive në vend, Ditë e Natë ka njoftuar Autoritetin e Konkurrencës për arritjen e një marrëveshjeje për blerjen e veprimtarisë ekonomike të rrjetit farmaceutik konkurrent që vepron nën emrin tregtar “Farma Net Albania”.
Sipas marrëveshjes, veprimtaria ekonomike e njësive farmaceutike nën emrin tregtar “Farma Net Albania” do të përfshijë të gjitha pajisjet dhe aktivet e luajtshme si asetet, inventarët; të drejtat e pronësisë intelektuale; klientët; kontratat e transferuara; punëmarrësit dhe detyrimet.
Pala blerëse, Ditë e Natë është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit shqiptar, me objekt aktiviteti tregtim medikamentesh, suplementesh, shtesash ushqimore, produkte kozmetike pajisjesh mjekësore me pakicë etj.
Shoqëria Ditë e Natë zotërohet në masën 100% nga shoqëria tregtare Metro Farmaci, ndërsa kontrollues përfundimtarë të saj janë Eduard Curraj dhe Dorian Sadiku, secili me 50% të aksioneve.
Pala kryesore shitëse në transaksion është Farma Net Albania, një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit shqiptar, me objekt aktiviteti: import-eksport, ruajtje, shpërndarje, shitje me shumicë e pakicë e artikujve farmaceutikë dhe parafarmaceutikë, barnave narkotike dhe psikotrope, produkteve dhe shtesave ushqimore me origjinë shtazore, produkteve bimore, produkte kozmetike, bimëve medicinale, pajisjesh dhe materiale mjekësore, dentare, laboratorike, reagenteve dhe kiteve; servis, instalim dhe mirëmbajtje pajisjesh mjekësore, pajisjesh dentare; restaurim dhe mirëmbajtje e veprave të artit, pasurive kulturore dhe artistike përfshirë ruajtjen e tyre etj.
Farma Net Albania zotërohet në masën 100% nga Sokol Topçiu.
Në vitet e fundit, tregu shqiptar po kalon një fazë përqendrimi edhe në segmentet e shërbimeve që më parë zotëroheshin kryesisht nga mikrobiznese, siç është tregtia me pakicë e mallrave të konsumit. Shembull i kësaj tendence “korporatizimi” është edhe tregu i farmacive.
Tregtimi i barnave në Shqipëri bëhet sipas marzheve të përcaktuara ligjore, ndaj në këtë kuptim mes farmacive nuk ekziston një konkurrencë e mirëfilltë me çmime në tregtimin e tyre. Por, nga ana tjetër, farmacitë tregtojnë edhe produkte të tjera mjekësore, paramjekësore dhe kozmetike, për të cilat marzhet e çmimit nuk janë të përcaktuara me ligj.
Një element tjetër që mund të ndikojë konkurrencën është edhe integrimi vertikal ose prania e pronarëve të njëjtë në nivele të ndryshme të zinxhirit të tregtimit. Disa prej grosistëve kanë hyrë edhe në rrjedhën e poshtme të tregut, duke ngritur rrjete të zgjeruara të shitjeve me pakicë.
Kjo mund të krijojë hapësira shfrytëzimi të fuqisë ekonomike për “shtrydhje të marzheve”, me qëllim për të fituar avantazh në çmim, duke dëmtuar konkurrentët më të vegjël.
Gjithashtu, tendenca e zgjerimit të rrjeteve të mëdha të farmacive, përveç pranisë më të gjerë gjeografike, mund t’u japë atyre avantazh konkurrues në imazh dhe në percpetimin konsumator.
Sipas pasqyrave më të fundit financiare, të vitit 2023, shoqëria Ditë e Natë raportonte një qarkullim total në vlerën e 1.9 miliardë lekëve, në rritje me 31% krahasuar me një vit më parë. Rezultati financiar i shoqërisë ishte me humbje, në vlerën e 17.4 milionë lekëve, por megjithatë humbjet u reduktuan ndjeshëm me 82% krahasuar me një vit më parë.
Ndërsa shoqëria kryesore shitëse, Farma Net Albania, për 2023 raportonte xhiro në vlerën e 536 milionë lekëve, në rritje me 47% krahasuar me një vit më parë. Farma Net Albania raportoi një fitim neto në vlerën e 34 milionë lekëve, në rritje me 19% krahasuar me një vit më parë./Monitor