
Të premten, Tirana do të jetë mikpritëse e Samitit të 6-të të Komunitetit Politik Europian (KPE), një ngjarje historike për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor. Në sheshin “Skënderbej” do të mblidhen 47 liderë shtetesh dhe qeverish nga e gjithë Europa, për të diskutuar mbi sigurinë, konkurrencën ekonomike dhe bashkëpunimin europian.
Kjo është hera e parë që ky samit mbahet në një vend të Ballkanit Perëndimor, duke e shndërruar Shqipërinë në epiqendër të zhvillimeve politike europiane. Ndër të parët që mbërritën ishte kryeministri britanik Keir Starmer, i cili zhvilloi takime me presidentin Begaj dhe kryeministrin Rama.
Gjithashtu në kuadër të samitit, mbërritën në Tiranë liderit e shteteve Maqedonisë së Veriut, Andorës, Qipros, Azerbajzanit, Polonisë, Bullgarisë, Malit të Zi, Serbisë, Holandës, Finlandës, Lituanisë dhe Spanjës. Kosova dhe Greqia do të përfaqësohen në nivel presidencial.
Sot pritet të vijnë liderët e vendeve: Belgjika, Austria, Turqia, Hungaria, Kroaci, Slloveni, Çeki, Sllovaki, Franca dhe Ukraina.
Çfarë pritet të ndodh nesër?
Sipas njoftimit të Këshillit Europian ambicia e Samitit të Komunitetit Politik Europian është të lehtësojë dialogun dhe bashkëpunimin ndërmjet liderëve të kontinentit për të adresuar çështje me interes të përbashkët, për të forcuar sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e Europës.
“Ky samit nuk ka për qëllim të zëvendësojë ndonjë strukturë, organizatë ose proces ekzistues, por është një forum ku shtetet europiane mund të gjejnë mundësi të tjera për bashkëpunim mbi çështjet më urgjente të kontinentit”.
Deri më tani, Komuniteti Politik Europian ka zhvilluar pesë takime.
Axhenda:
10:00: Mbërritja e delegacioneve
11:15: Ceremonia e hapjes
11:40: Fotografia e përbashkët familjare
11:45: Seanca e parë plenare
13:15: Drekë zyrtare
14:30: Tryeza e dytë tematike
15:30: Takime bilaterale mes Kryeministrave të Delegacioneve
17:30: Seanca plenare e mbylljes
18:45: Konferencë e përbashkët për shtyp me Kryeministrin e Shqipërisë dhe Kryeministrin e Danimarkës (vendin pritës për samitin e ardhshëm).