
Drejtuesi politik i i PD-së i qarkut të Tiranës, njëkohësisht kandidat për deputet Belind Këlliçi tha se do të monitorohet procesi i numërimit në KZAZ nr 40, të njësisë nr 9 në Tiranë.
Nëse do të evidentohen shumë fletë votimi me ngjyrë të ndryshme dhe përbërje të ndryshme nga vota origjinale, prova të skemës së manipulimit të votimit të quajtur si ‘treni bullgar’ atëherë do të kërkohet rinumërim të votave jo vetëm në Tiranë por dhe në gjithë Shqipërinë.
“Kjo është qendra e Tiranës e kur ka këtu parregullsi imagjinoni cfarë ndodh nëpër Shqipëri, do të shohim si do të procedohet me fletët me ngjyrë të ndryshme që kanë peshë dhe përbërjen e saj të ndryshme. Nëse do të konstatohet që këto janë realisht fletë të falsifikuara, kështu duket deri tani, PD do të kërkojë hapjen e kutive, rinumërimin e plotë dhe evidentimin e të gjithë fletëve të votimit në qarkun e Tiranës dhe në Shqipëri. Nëse makineria e vjedhjes së votave guxon të hyjë të depërtojë në zemër të kryeqytetit imagjinoni cfarë i kanë bërë votës së shqiptarëve këta. Tani do të nisë numërimi në kutinë e kontestuar te 7 marsi, dhe do të shohim si do të procedohet me fletët e votimit dhe shenjat dalluese që janë të njëjta” tha Këlliçi.