
Në mitingun përmbyllës të fushatës së Partisë Demokratike në Bulevardin e Ri në Tiranë, strategu amerikan Chris LaCivita bëri një apel të fuqishëm për qytetarët shqiptarë të dalin në votime më 11 maj. Ai theksoi rëndësinë e këtyre zgjedhjeve, duke i cilësuar si një mundësi për të ndryshuar kursin e vendit dhe për të siguruar një të ardhme më të mirë. “E gjithë bota po i sheh këto zgjedhje,” deklaroi LaCivita, duke nënvizuar vëmendjen ndërkombëtare që po shoqëron procesin zgjedhor në Shqipëri.
LaCivita, i cili ka pasur një rol kyç në fushatat e mëparshme të ish-presidentit amerikan Donald Trump, u shpreh se Partia Demokratike është e vetmja forcë që ofron një plan të qartë për të rregulluar ekonominë dhe për të luftuar korrupsionin. Ai e përshkroi liderin historik të PD-së, Sali Berisha, si “një mjek për të ardhmen tuaj”, duke i bërë thirrje qytetarëve të besojnë te ai për drejtimin e vendit.
Në përfundim të fjalimit të tij, LaCivita apeloi për pjesëmarrje masive në votime, duke theksuar se “ajo varet nga vota juaj”. Ai e mbylli fjalimin me një mesazh optimist: “Zoti e bekoftë Shqipërinë. Fitore, Fitore, Fitore!”