Vendosni fjalën kyçe....

PS e Fierit akuzon drejtuesit e PD për përpjekje për sabotimin e procesit zgjedhor: Të mos i bindeni urdhrave të paligjshëm


Partia Socialiste e qarkut Fier ka reaguar me tone të forta përmes një deklarate publike, duke denoncuar urdhrat që, sipas saj, po u jepen komisionerëve nga drejtuesit politikë të Partisë Demokratike në këtë qark, me qëllim pengimin e procesit të votimit në 11 maj.

Sipas PS-së, drejtues të PD-së po udhëzojnë komisionerët e tyre të mos paraqiten në qendrat e votimit në orarin e caktuar, të vonojnë nisjen e procesit apo të ndërmarrin veprime të tjera të paligjshme, deri në dëmtimin e procesverbaleve dhe kutive të votimit, për të krijuar kaos dhe për të minuar procesin zgjedhor.

“Veprimet e tyre lidhen me humbjen e pashmangshme dhe madhështore që ata do të marrin në 11 maj – një humbje historike për të cilën janë të vetëdijshëm. Prandaj, kërkojnë me të gjitha format prishjen e procesit,” – thuhet në deklaratën e socialistëve fierakë.

PS i bën thirrje të gjithë komisionerëve të Partisë Demokratike dhe forcave të tjera politike që të mos i binden urdhrave të paligjshëm dhe kriminalë të drejtuesve të tyre, por të zbatojnë detyrat siç e përcakton ligji zgjedhor.

“Çdo shkelje e ligjit do të faktohet me prova të qarta dhe do të denoncohet me forcë në organet ligjzbatuese. Askush të mos mendojë se mund të fshihet pas mburojave partiake nëse shkel ligjin dhe cënon procesin zgjedhor në çfarëdo forme të mundshme,” – thekson deklarata.

Në fund, PS u bën thirrje të gjithë qytetarëve të qarkut Fier që të shkojnë të vendosur në qendrat e votimit dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar, pa u ndikuar nga presione apo pengesa që mund të krijohen nga ata që, sipas PS-së, tashmë e dinë rezultatin e pashmangshëm të humbjes së tyre më 11 maj.